Një aksident zinxhiror ku janë përfshirë pesë automjete ka ndodhur në rrugën Ferizaj–Shtime, në dalje të fshatit Koshare, ku sipas informatave fillestare janë raportuar 6 deri në 7 persona të lënduar.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipet emergjente nga Shtimja, ndërsa është kërkuar edhe angazhimi i ekipit emergjent nga Ferizaj.
Sipas informatave fillestare nga vendi i ngjarjes, deri në momentin e raportimit nuk është njoftuar për lëndime serioze.
“Policia është duke u marrë me rastin, ndërsa për informata të tjera do të njoftoheni me kohë. Në ora 21:40 rruga është liruar plotësisht për qarkullim”, ka njoftuar Veseli.
Për shkak të aksidentit, ky segment rrugor fillimisht ishte bllokuar për qarkullim në të dy drejtimet, por më pas është liruar plotësisht.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




