Në natën e parë, të mbajtur në Pallatin e Rinisë “1 Tetori” në Prishtinë, para publikut janë paraqitur 17 këngëtarët garues, me performanca të zhanreve të ndryshme muzikore, nga rock-u alternativ, etno-pop-i dhe jazz-i, deri te baladat.
Gazetarja e RTK-së, Medina Pasoma, raportoi në Lajmet Qendrore se sonte do të ndahen tri çmimet kryesore, përfshirë çmimin për fituesin e edicionit të katërt, si dhe çmimi i orkestrës dhe ai për tekstin më të mirë.

Fituesit do të përzgjidhen nga juria profesionale, në përbërje të Bojken Lakos, Rebeka Qenës, Babukës, Adelina Palojës dhe Astrit Pallaskës.
Përveç garës, në natën finale do të performojnë edhe artistë të njohur, si Bojken Lako, Besnik Çaka, Deniza Begolli dhe Sejat Jakupi.
Festivali transmetohet drejtpërdrejt në RTK, Radio Televizionin Shqiptar dhe Radio Televizionin e Maqedonisë së Veriut, në kanalin në gjuhën shqipe.
Ndërkaq, nesër për herë të parë në kuadër të këtij organizimi do të mbahet edhe festivali i fëmijëve.
Burimi: RTKLive




