Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga Ministria e Financave që ta procedojë sa më shpejt projektligjin që parasheh grantin specifik për shërbime sociale, duke vlerësuar se mungesa e financimit të qëndrueshëm po i lë Qendrat për Punë Sociale (QPS) pa mbështetjen e nevojshme.

Në reagimin e tij, Bordi i AKK-së ka bërë të ditur se komunat po kërkojnë këtë grant që nga viti 2022, ndërsa sipas këtij asociacioni, Ministria e Financave e ka tërhequr projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, i cili e parashihte krijimin e tij.
“Qendrat për Punë Sociale nuk mund të kujtohen vetëm pas tragjedive!”, thuhet në reagimin e AKK-së.
Sipas këtij asociacioni, granti specifik do të mundësonte punësimin e më shumë profesionistëve, sigurimin e mjeteve themelore të punës, investime në hapësira dhe siguri, si dhe kompensimin e angazhimit të punonjësve jashtë orarit të rregullt.
AKK vlerëson se këto masa do të ndikonin në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, duke theksuar se shumë prej këtyre nevojave aktualisht nuk plotësohen ose mbeten të pamjaftueshme.
Në reagim thuhet se punonjësit socialë përballen me raste të rënda dhe përgjegjësi të mëdha, duke punuar edhe pas orarit të rregullt, shpesh pa mbështetjen e nevojshme.
“Është e papranueshme të bllokosh mekanizmin e financimit dhe pastaj të kërkosh llogari vetëm nga komunat e punonjësit socialë. Kush jep përgjegjësi për këtë zvarritje shumëvjeçare?”, thuhet në reagim.
Asociacioni ka kritikuar gjithashtu, siç e quan, vëmendjen e institucioneve ndaj Qendrave për Punë Sociale vetëm pas rasteve të rënda, duke përmendur rastin në Pejë dhe vrasjen e një gruaje pranë QPS-së në Ferizaj.
Sipas AKK-së, pas këtyre ngjarjeve paralajmërohen inspektime, ndërsa nevojat e institucioneve që ofrojnë shërbime sociale vazhdojnë të mbeten pa zgjidhje.
“Nuk të pranoj më”- IPK nis hetimet për trajtimin policor të rasteve të raportuara nga Arlinda Zekaj

“Çdo neglizhencë duhet të hetohet. Por inspektimet pas tragjedive nuk e shlyejnë përgjegjësinë për pengimin e financimit”, thuhet në reagim.
Në fund, AKK i ka bërë thirrje Ministrisë së Financave që ta procedojë menjëherë projektligjin përkatës, duke theksuar se financimi i shërbimeve sociale është i domosdoshëm për mbrojtjen e qytetarëve.
“Ministria e Financave duhet ta nxjerrë projektligjin nga sirtari dhe ta procedojë menjëherë. Mbrojtja e jetës nuk mund të presë pafundësisht!”, përfundon reagimi i Asociacionit të Komunave të Kosovës. /Telegrafi/




