Xhudisti jonë, Akil Gjakova ishte i pafat në ndeshjen për medaljen e bronztë në Grand Slamin e xhudos në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Pas Laura Fazliut, pritej që edhe Akil Gjakova t’i sjell një sukses Kosovës, duke fituar medaljen e bronztë në Abu Dhabi në kategorinë deri në 73 kilogramë, por kështu nuk ndodhi.
Xhudisti pejan ishte i pafat dhe nuk arriti të mposht rusin Karen Galstian në përballjen për medaljen e bronztë.
Vlen të theksohet se Gjakova i nisi garat pa lojë në xhiron e parë të kategorisë deri në 73 kilogramë, ndërsa në xhiron e dytë mposhti me ‘ippon’ xhudistin nga Izraeli, Ohad Moritz.
Në xhiron e tretë, xhudisti pejan pati punë edhe më të vështirë, pasi iu desh të përballej me bartësin e parë dhe nën-kampionin e botës në fuqi, Makhmadbek Makhmadbekovin, të cilin e mposht me ‘ippon’ në kohën shtesë.
Në çerekfinale, Gjakova u ndesh me Hidayat Heydarov nga Azerbajxhani, ku kësaj radhe ishte i pafat duke u mposht në shtesë dhe duke kërkuar medaljen me anë të repesazhit.
Në repesazh, 30-vjeçari mposhti francezin Joan-Benjamin Gaba, ndërsa në ndeshjen për medalje pastaj u mposht nga rusi Karen Galstian.
Ndryshe, në Grand Slamin e xhudos marrin pjesë 374 xhudistë nga 59 shtete. /Telegrafi/




