Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar gjuhën e papërshtatshme dhe sjelljen joprofesionale të drejtorit të Spitalit të Gjilanit, Afrim Cana ndaj gazetares së Klan Kosova, Arbreshë Uka.

Reagimi i AGK-së ka ardhur pas fjalëve që drejtori i këtij spitali ka përdorur ndaj gazetares Uka.
“Psikiatri Cana i është drejtuar gazetares Uka me fjalinë: “A ke nevojë për ekzaminim? Nëse keni mundeni me ardhë”, derisa ajo po e pyeste për mungesën e kujdestarisë në disa reparte në spitalin publik. AGK-ja e konsideron këtë gjuhë si të papranueshme, fyese dhe tentim të drejtorit Cana për të intimiduar gazetaren në kryerjen e detyrës së saj profesionale.”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK-ja e ka ftuar drejtorin Cana t’i kërkojë falje publike gazetares Uka dhe të ofrojë transparencë dhe përgjigje në pyetjet e gazetarëve që janë në interes publik.
“Sjellja e drejtorit Cana ka për synim denigrimin e gazetares, dhe AGK-ja i bën thirrje nivelit qendror për marrjen e masave. Gazetarët duhet të jenë në gjendje ta kryejnë punën e tyre për informimin e publikut pa u penguar nga asnjë palë.”, thuhet në reagim. /Klankosova.tv





