Abdixhiku: Me ndihma dhe pa investime nuk ndërtohet ekonomia e Kosovës

Abdixhiku: Me ndihma dhe pa investime nuk ndërtohet ekonomia e Kosovës

Abdixhiku: Me ndihma dhe pa investime nuk ndërtohet ekonomia e Kosovës

Gjatë debatit në Kuvend për shqyrtimin e Projektbuxhetit 2027, Abdixhiku tha se mbështetja financiare për familjet dhe rritja e pagave janë të nevojshme, por nuk mund të zëvendësojnë investimet në sektorët që gjenerojnë vende të reja pune dhe rrisin produktivitetin.

“Me shtet social, me ndihma, pa investime, s’kemi për të pasur kurrë jetë të mirë në Kosovë. Kurrë hiç”, deklaroi Abdixhiku.

Sponsor 3M Express

Ai tha se Kosova rrezikon të mbetet në fund të Evropës për nga zhvillimi ekonomik dhe standardi i jetesës, nëse vazhdon të mbështetet kryesisht në ndihma dhe transfere, pa krijuar kapacitete të reja prodhuese.

Sipas tij, rritja e ndihmave mund të shtojë konsumin, por pa rritje të prodhimit dhe investimeve nuk e ndryshon gjendjen ekonomike të vendit.

“Dhe në gjithë këtë spirale ekonomike, do të mbesim pa gjënë e vetme për të cilën ka nevojë Republika jonë: pa investime dhe natyrisht me më pak vende të reja të punës”, tha ai.

Abdixhiku theksoi se LDK-ja synon rritjen e koeficientit të pagave në 150, por, sipas tij, krahas rritjes së pagave duhet të ketë edhe investime shumë më të mëdha.

“Dhe mos më keqkuptoni: kjo kritikë nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës që për koeficient pagash ka synim koeficientin 150. Pra ambicia jonë për paga është shumë më e lartë, por ambicia për investime është shumëfish më e lartë. Dhe po, mund të bëhen të dyjat: edhe ndihma, edhe investimet. Por fillimisht me shumë më shumë investime sesa ndihma”, u shpreh ai.

LDK kërkon investime në energjetikë, infrastrukturë, arsim dhe turizëm

Kryetari i LDK-së renditi disa sektorë ku, sipas tij, nevojiten investime të mëdha, duke veçuar energjetikën, infrastrukturën rrugore, arsimin, teknologjinë dhe turizmin.

Në sektorin e energjisë, Abdixhiku kritikoi mungesën e kapaciteteve të reja prodhuese dhe varësinë nga importi i energjisë elektrike.

Ai rikujtoi se termocentralet e fundit në Kosovë janë ndërtuar në vitet e 80-ta, duke vlerësuar se vendi ka nevojë për kapacitete të reja për të zvogëluar shpenzimet për blerjen e energjisë nga jashtë.

“Milionat e eurove do të na shkojnë në blerjen e energjisë së huaj, kur mundemi lehtësisht me dhjetëra të tyre të ndërtojmë centrale të reja”, tha Abdixhiku.

Sa i përket infrastrukturës rrugore, ai kritikoi vonesat në realizimin e projekteve, duke thënë se Kosova vazhdon të merret me përfundimin e rrugëve që, sipas tij, është dashur të përfundonin shumë më herët.

“Po me analiza s’shtrohen rrugët; shtrohen me investime në pare dhe me njerëz në kantier, atje në terren, me pak fjalë me punë të realizuara në gjitha rrugët e Kosovës”, deklaroi ai.

Në arsim, Abdixhiku tha se rezultatet e Kosovës në testin ndërkombëtar PISA tregojnë nevojën për investime në shkolla dhe përmirësimin e kushteve të mësimit.

Ai e cilësoi teknologjinë si një mundësi të rëndësishme për Kosovën që të zvogëlojë hendekun me shtetet më të zhvilluara. Sipas tij, me ritmet aktuale të rritjes ekonomike, Kosovës do t’i duheshin rreth 80 vjet për të arritur mesataren e Bashkimit Evropian.

Abdixhiku kërkoi gjithashtu investime në turizëm, duke përmendur potencialin e Brezovicës dhe mungesën e një kompleksi të mirëfilltë turistik në vend.

“E ne s’jemi në gjendje si shoqëri, tash e 28 vjet në liri, me bërë një kompleks të vetëm turistik”, tha ai.

Abdixhiku: Kosova mund të marrë deri në tri miliardë euro kredi

Një pjesë të fjalimit, Abdixhiku ia kushtoi mundësive për financimin e investimeve përmes rritjes së borxhit publik.

Ai tha se borxhi publik i Kosovës është rreth 19 për qind e bruto produktit vendor, ndërsa sipas tij, korniza ligjore mundëson që ai të arrijë deri në 40 për qind, pa cenuar stabilitetin financiar.

“Në cilin popull po i ruajmë këto mundësi? Për cilin popull po i presim ditë më të mira? Për kurrë po i ruajmë mundësitë tona që na garantohen me ligj, me stabilitet financiar që kemi sot?”, pyeti Abdixhiku.

Sipas tij, Kosova mund të sigurojë deri në tri miliardë euro kredi me kushte të favorshme për projekte në sektorë të ndryshëm.

Ai përmendi gjithashtu rreth tri miliardë euro të tjera në fondin pensional, të cilat, sipas tij, janë të investuara jashtë vendit.

Abdixhiku vuri në pikëpyetje edhe rritjen nominale të Projektbuxhetit për vitin 2027, duke e krahasuar atë me nivelin e inflacionit.

Ai tha se buxheti është rreth 300 milionë euro më i lartë, apo afërsisht shtatë për qind në krahasim me vitin paraprak, por shtoi se edhe inflacioni vjetor, sipas të dhënave që përmendi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, është në nivel të ngjashëm.

“Pra thënë ndryshe, vlera e këtyre 4.3 miliardë eurove sot si fuqi blerëse është e njëjtë me 4 miliardë eurot e vitit të kaluar”, tha ai.

Sipas Abdixhikut, rritja e shumës së përgjithshme të buxhetit nuk nënkupton domosdoshmërisht rritje të fuqisë së tij reale për të financuar shërbime dhe investime.

Ai kritikoi edhe nivelin e investimeve kapitale, duke vlerësuar se ndarja e rreth një miliard eurove, apo 23 për qind e buxhetit, nuk mjafton për të siguruar ritmet e zhvillimit që i nevojiten Kosovës.

Sipas tij, vendit i duhet rritje ekonomike vjetore prej shtatë deri në tetë për qind për dhjetë vjetët e ardhshme, ndërsa ritmet prej tre, katër apo pesë për qind nuk do të mjaftonin për ta nxjerrë Kosovën nga pozita e saj aktuale.

Abdixhiku foli edhe për deficitin tregtar, duke thënë se dallimi mes eksporteve dhe importeve të Kosovës ka arritur në rreth gjashtë miliardë euro në vit.

Ai tha se gjashtë vjet më parë kjo diferencë ishte rreth 2.5 miliardë euro dhe paralajmëroi se vazhdimi i këtij trendi do të ndikonte në daljen e kapitalit nga vendi.

“Paramendoni: plot 6 miliardë euro në vit Kosova i qet jashtë vendit. Dhe ky trend është në rritje: gjashtë vite më parë ka qenë 2.5 miliardë euro; gjashtë vite më pas, 6 miliardë euro është diferenca mes eksporteve dhe importeve në Kosovë”, tha ai.

Sipas llogaritjeve që paraqiti në Kuvend, nëse vazhdon ky trend, gjatë dhjetë vjetëve të ardhshëm nga Kosova mund të dalin 60 deri në 80 miliardë euro.

Ai vlerësoi se rritja ekonomike nuk duhet të matet vetëm në raport me vitet paraprake, por edhe në raport me nivelin e zhvillimit të vendeve të tjera.

Në përfundim të fjalimit, kryetari i LDK-së tha se ndihmat sociale dhe pensionet kanë nevojë për një ekonomi që krijon të ardhura dhe vende pune, ndërsa pagat duhet të mbështeten në produktivitet.

“Jepuni njerëzve të Kosovës zhvillim, s’ka me pasur nevojë për ndihma fare. Kosovarët janë punëtorë: krijojnë, ndërtojnë, bëjnë mrekulli. Jepuni mundësi!”, përfundoi Abdixhiku.

Burimi: RTKLive

Lexo edhe

“Unë di gjithçka”, Trump thotë se SHBA e Kina spiunojnë njëra-tjetrën: Ne spiunojmë më mirë se ata

“Unë di gjithçka”, Trump thotë se SHBA e Kina spiunojnë njëra-tjetrën: Ne spiunojmë më mirë se ata

Policia mbyll 15 lokale, arrestohen tetë persona për prostitucion

Policia mbyll 15 lokale, arrestohen tetë persona për prostitucion

Përfundon dita e dytë e vizitës së Krasniqit te familja, e kthejnë në EULEX

Përfundon dita e dytë e vizitës së Krasniqit te familja, e kthejnë në EULEX