Për muaj të tërë, studentë, profesorë, aktivistë dhe qytetarë protestuan në mbarë Serbinë, duke kërkuar drejtësi për viktimat e tragjedisë në Novi Sad dhe përgjegjësi nga institucionet. Protestat gradualisht u shndërruan në një lëvizje më të gjerë, e cila tani, nën sloganin „Serbia ose mafia“, kërkon ndryshimin e pushtetit dhe të sistemit politik.
Sonja Pernat, ish-deputete e pavarur dhe aktiviste, konsideron se pjesëmarrja e lartë në votime është vendimtare për ndryshimet politike.

„Nga këto zgjedhje pres një ndryshim të madh. Mendoj se asnjëherë më parë nuk kemi pasur kaq shumë mbështetje dhe një revoltë kaq të madhe qytetare. Besoj se duhet ta kuptojmë që vendimtare është pjesëmarrja në zgjedhje“, thotë Pernat.
Sipas sondazhit të organizatës Nova srpska politička misao (Mendimi i Ri Politik Serb), të publikuar më 20 tetor, Lista Studentore gëzon mbështetjen e 44,5 për qind të votuesve të përcaktuar, ndërsa lista e Aleksandar Vuçiqit 42,7 për qind. Sondazhi është realizuar me 1.050 të anketuar, ndërsa rezultatet e tij nuk përbëjnë parashikim të rezultatit zgjedhor.
Edhe Vuçiq ka deklaruar se studentët kanë një epërsi prej një pikë e gjysmë përqindjeje, por pretendon se lista e tij po e ngushton diferencën. Ai nuk ka saktësuar se cilit sondazh i referohet.
Pritshmëritë për ndryshime politike
Biljana Gjorgjeviq, ish-deputete dhe bashkëkryetare e Frontit të Gjelbër-të Majtë, beson se ndryshimet shoqërore që nisën me protestat tani mund të konfirmohen edhe përmes zgjedhjeve.
„Pres që Lista Studentore të marrë më së shumti vota në zgjedhje, më shumë se SNS-ja, dhe rrjedhimisht të fitojë. Kjo pritshmëri është njëkohësisht edhe shpresë, por lidhet edhe me ndryshimin shoqëror që po e shohim gjatë një viti e gjysmë të fundit. Mendoj se më në fund ka ardhur momenti që ky ndryshim të institucionalizohet përmes zgjedhjeve“, thotë Gjorgjeviq.
Megjithatë, krahas pritshmërive për rezultatin, mbetet e hapur edhe çështja e rregullsisë së procesit zgjedhor. Fushata është shoqëruar me paralajmërime të vëzhguesve për kushte të pabarabarta, presione ndaj aktivistëve dhe parregullsi të mundshme.
Gjorgjeviq pret tensione edhe gjatë ditës së zgjedhjeve, por konsideron se një rol të rëndësishëm do të kenë kontrolluesit zgjedhorë, vëzhguesit dhe qytetarët që do të përcjellin votimin dhe numërimin e votave.
„Presim pjesëmarrje të lartë në votime, por edhe tensione në ditën e zgjedhjeve, megjithëse tensionet kanë qenë të pranishme gjatë gjithë kohës. Mendoj se tani njerëzit janë të gatshëm të tregojnë durim dhe të bëjnë atë që është e nevojshme: të votojnë dhe të organizohen. Një numër i madh kontrolluesish, anëtarësh të këshillave të vendvotimeve, ekipeve mobile dhe vëzhguesve duhet ta përcjellin procesin zgjedhor dhe ta mbrojnë vullnetin e qytetarëve.“
Për Pernat, këto zgjedhje kanë karakter pothuajse referendar. Ajo konsideron se bashkimi rreth një qëllimi të përbashkët është i rëndësishëm për mundësinë e ndryshimit të pushtetit.
„Nuk kërkoj që të gjithë të pajtohen me Listën Studentore, por kërkoj të kuptoni se ndryshimet janë të mundshme nëse votat nuk shpërndahen, nëse secili nuk shkon në drejtimin e vet, por bashkohemi rreth një qëllimi të përbashkët“, thekson Pernat.
Pas pothuajse dy vjetësh protestash, lëvizja studentore për herë të parë do ta vërë në provë forcën e saj politike në zgjedhje parlamentare. Ndërsa pushteti pret vazhdimin e mandatit, kundërshtarët e tij shpresojnë në ndryshime politike, kurse sondazhet tregojnë një garë të ngushtë.
Bashkëbisedueset e RTK-së konsiderojnë se mobilizimi qytetar tashmë ka sjellë ndryshime në shoqëri. Zgjedhjet e 25 tetorit do të tregojnë se sa do të ndikojnë këto ndryshime në raportin e forcave politike dhe në drejtimin e ardhshëm të Serbisë.
Si do të votohet më 25 tetor?
Vendvotimet të dielën do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në orën 20:00. Të drejtë vote kanë 6.450.523 qytetarë, ndërsa votimi do të organizohet në gjithsej 8.392 vendvotime, prej të cilave 93 jashtë vendit, në 37 shtete.
Për votuesit nga Kosova janë caktuar 60 vendvotime në Rashkë, Tutin, Vranjë dhe Kurshumli.
Gjatë heshtjes zgjedhore, e cila fillon sonte në mesnatë, ndalohet prezantimi i kandidatëve dhe programeve të tyre në media dhe tubime publike, thirrja e votuesve për të votuar pro ose kundër një liste të caktuar, si dhe publikimi i vlerësimeve për rezultatet zgjedhore.
Heshtja zgjedhore përfundon të dielën, më 25 tetor, në orën 20:00, me mbylljen e vendvotimeve.
Burimi: RTKLive




