Gazetarja e Klan Kosovës, Altiana Zogaj, ka folur për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë në kuadër të rastit të Arlinda Zekajt, duke sqaruar se suspendimi nuk nënkupton shkarkimin e tyre nga puna.

Sipas Zogajt, kjo çështje është keqkuptuar nga një pjesë e qytetarëve, pasi zyrtarët e suspenduar mund të kthehen në pozitat e tyre pas përfundimit të procedurave hetimore dhe disiplinore.
“Ka qenë pikëpyetje e njerëzve, sepse është keqkuptuar suspendimi me shkarkimin. Ata mund të kthehen në pozitat e tyre. Dorëheqja nënkupton largimin prej atij pozicioni. Për 11 zyrtarët policorë të suspenduar në punë ka gjasa që të kthehen”, ka deklaruar Zogaj më emisionin Info Magazine në Klan Kosova.
Ajo ka shpjeguar se suspendimi mund të bëhet për periudha të ndryshme kohore, varësisht nga vendimi që merret në rastin konkret.
“Ndahet në disa kohë se si mund të bëhet edhe suspendimi, është me tre muaj, pastaj edhe me gjashtë muaj, varësisht si është vendosur. E kemi panelin e hetimit që do ta bëjë hetimin e të gjitha rrethanave se si ka rrjedhur krejt ngjarja”, u shpreh ajo.
Zogaj shtoi se pas përfundimit të hetimeve do të vlerësohet përgjegjësia e secilit zyrtar policor.
“Nëse ka nga ata që nuk janë të përfshirë, do të shpëtojnë edhe pa masa disiplinore dhe do të kthehen në pozitat e tyre. Të tjerët pritet të kthehen në pozitat e tyre”, tha ajo.



