Pothuajse gjysma e punëtorëve në Evropë përballen me rreziqe për shëndetin mendor në vendin e punës, ndërsa frika për të folur hapur për këto probleme vazhdon të pengojë marrjen e masave parandaluese.

Agjencia Evropiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (EU-OSHA) thekson se trajtimi i këtij problemi duhet të nisë me thyerjen e tabusë dhe identifikimin e faktorëve që shkaktojnë stres, shkruan Gazeta Shneta.
Sipas të dhënave të EU-OSHA, 45 për qind e punëtorëve përballen me rreziqe për shëndetin mendor në punë.
Ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në mirëqenien e tyre janë orët e gjata të punës, ngarkesa e lartë, presioni për të përmbushur afatet dhe detyrat emocionalisht të vështira.
William Cockburn, drejtor ekzekutiv i EU-OSHA-s, ka thënë për Euronews se hezitimi për të folur hapur për shëndetin mendor mbetet një nga pengesat kryesore për ndërmarrjen e masave konkrete.
Sipas tij, problemet e shëndetit mendor në vendin e punës duhet të trajtohen me të njëjtën seriozitet si problemet e shëndetit fizik.
Rreth 44 për qind e punëtorëve raportojnë presion të madh kohor ose mbingarkesë në punë. Ndërkohë, sipas Institutit Evropian të Sindikatave (ETUI), depresioni i lidhur me punën i kushton Bashkimit Evropian më shumë se 100 miliardë euro në vit, duke përfshirë mungesat në punë, uljen e produktivitetit, shpenzimet shëndetësore dhe kostot e tjera shoqërore.
Punëtorët duhet të përfshihen në parandalimin e stresit
Ekspertët theksojnë se parandalimi i problemeve të shëndetit mendor nuk duhet të mbështetet vetëm te aftësia e individit për të përballuar stresin, por edhe te kushtet dhe organizimi i punës.
Esther Lynch, sekretare e përgjithshme e Konfederatës Evropiane të Sindikatave (ETUC), ka argumentuar se punëdhënësit duhet t’i identifikojnë rreziqet dhe të ndërmarrin masa parandaluese përpara se ato të shkaktojnë dëme te punëtorët.
Megjithatë, sipas EU-OSHA-s, vetëm 45 për qind e punëtorëve thonë se konsultohen për aspektet stresuese të punës së tyre.
Cockburn ka theksuar se përfshirja e punëtorëve në identifikimin e rreziqeve dhe në vendimmarrje është jo vetëm detyrim ligjor sipas legjislacionit evropian, por edhe një faktor i rëndësishëm për suksesin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë.
BE-ja nis fushatën për vende më të shëndetshme të punës
Komisioni Evropian ka nisur fushatën “Healthy Workplaces”, e cila synon t’i ndihmojë punëdhënësit të parandalojnë, vlerësojnë dhe menaxhojnë rreziqet psikosociale në vendin e punës.
Nisma synon, ndër të tjera, të nxisë një kulturë ku punëtorët mund të flasin hapur për vështirësitë që përjetojnë, pa frikën e stigmatizimit.
Roxana Mînzatu, zëvendëspresidente ekzekutive e Komisionit Evropian për të drejtat sociale dhe punësimin, ka deklaruar se investimi në mjedise të shëndetshme pune ndihmon në përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve, uljen e mungesave dhe largimeve nga puna, si dhe rritjen e performancës.
Sipas saj, krijimi i kushteve më të mira të punës sjell përfitime si për punëtorët dhe punëdhënësit, ashtu edhe për sistemet shëndetësore.
Burimi: Insajderi





