Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas raportimeve se Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka shitur prona me çmim prej vetëm katër eurosh për metër katror, duke drejtuar kritika ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Bajrami ka rikujtuar premtimet që, sipas saj, LVV-ja kishte bërë para ardhjes në pushtet lidhur me funksionimin e AKP-së, duke akuzuar partinë në pushtet për mospërmbushjen e tyre.
Ajo ka kritikuar gjithashtu praktikat e prokurimit, duke pretenduar se janë shmangur procedurat e tenderimit në favor të negocimit të drejtpërdrejtë.
“Të nderuar qytetarë, veç shihni çfarë bëjnë. A e dini me çfarë premtimesh kanë ardhë në pushtet? A e dini çfarë thoshin për AKP-në? Këta edhe tenderin e hoqën, direkt me negocim”, ka deklaruar Bajrami.
Deputetja e LDK-së ka rikujtuar edhe sloganin e dikurshëm të LVV-së, “Nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur”, duke e përdorur atë për të kritikuar qeverisjen e kësaj partie.
“‘Nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur’, thoshin. Tani, pas 6 viteve të LVV-së në pushtet, jemi edhe të varfër edhe të vjedhur”, është shprehur ajo.
Bajrami ka ndërlidhur kritikat e saj edhe me emigrimin e qytetarëve, duke pretenduar se rreth 45 mijë persona largohen nga Kosova çdo vit për shkak të gjendjes në vend.
“Këto janë arsyet pse rreth 45 mijë qytetarë po ikin nga vendi çdo vit. Përgjegjësi”, ka përfunduar Bajrami./Telegrafi/




