Familja vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të tij dhe vendndodhjen e eshtrave, me shpresën për t’i dhënë një varr.
Me rastin e këtij përvjetori, djali i tij, Ardian Hoxha, ka përsëritur thirrjen drejtuar organeve të drejtësisë në Shqipëri, duke kërkuar zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e vendit ku ndodhen eshtrat e të atit.

“Më 21 tetor 1995, babai im, Remzi Hoxha, u rrëmbye nga vendi i tij i punës në mes të Tiranës, në pikë të ditës, nga njerëzit e SHIK-ut të Sali Berishës. U torturua, u vra dhe trupi i tij u zhduk. Këtë e ka thënë gjykata shqiptare me vendim të prerë. Pra shteti e di kush e mori, kush e torturoi dhe kush e vrau. Vetëm një gjë nuk na e thotë prej 31 vitesh: ku e kanë lënë”, ka deklaruar Ardian Hoxha.
Në apelin e familjes kërkohet që institucionet shqiptare të ndërmarrin hapa konkretë për zbardhjen e plotë të çështjes. Familja i është drejtuar posaçërisht Prokurorisë dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke kërkuar hapjen e arkivave të ish-Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), rifillimin e kërkimeve për gjetjen e eshtrave dhe marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Ardian Hoxha i ka bërë thirrje edhe kryeministrit të Shqipërisë që të mos heshtë përballë kësaj çështjeje, e cila prej tri dekadash rëndon mbi familjen. Sipas tij, kërkesa e tyre nuk ka të bëjë me hakmarrje apo interesa politike, por me të drejtën për të mësuar të vërtetën dhe për t’i dhënë babait një varr.
Remzi Hoxha, me origjinë nga Maqedonia e Veriut dhe veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare, jetonte në Shqipëri që nga viti 1992. Më 21 tetor 1995, ai u rrëmbye nga persona me rroba civile. Automjeti i përdorur në ngjarje u raportua se kishte lidhje me SHIK-un e asaj kohe.
Hetimet gjyqësore arritën në përfundimin se Hoxha kishte vdekur në tetor të vitit 1995, si pasojë e torturave të ushtruara nga punonjës të shërbimit informativ. Megjithatë, trupi i tij nuk u gjet dhe vendndodhja e mundshme e eshtrave nuk u përcaktua.
Në nëntor të vitit 2012, Gjykata për Krimet e Rënda në Shqipëri dënoi në mungesë Ilir Kumbaron me 15 vjet burgim në lidhje me çështjen e rrëmbimit dhe vrasjes së Remzi Hoxhës. Ndërkaq, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi u shpallën fajtorë, por përfituan nga amnistia.
Burimi: RTKLive




