Të paktën 24 persona kanë humbur jetën pasi një anije që transportonte njerëz drejt një ceremonie mortore është përmbysur në jug të Nigerisë.

Ngjarja tragjike ndodhi të premten në shtetin Bayelsa, në rajonin jugor të vendit, ndërsa anija po udhëtonte nga komuniteti Ayama drejt Ukubie, ku pasagjerët do të merrnin pjesë në një funeral.
Sipas Agjencisë Kombëtare për Menaxhimin e Emergjencave në Nigeri, deri më tani janë nxjerrë 24 trupa nga uji, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë.
Ndërkohë, policia ka bërë të ditur se 24 persona të tjerë janë shpëtuar dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Dyshimet paraprake tregojnë se anija mund të ketë pësuar një defekt mekanik. Sipas policisë, pasagjerët i kishin kërkuar drejtuesit të anijes që të afrohej drejt bregut, por ai dyshohet se kishte refuzuar.
Pas aksidentit, drejtuesi i anijes është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa menaxheri i saj është marrë në ndalim.
Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për respektimin e rregullave të sigurisë në transportin ujor, duke paralajmëruar kundër mbingarkesës së anijeve dhe udhëtimit pa jelekë shpëtimi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





