Sipas të dhënave paraprake të ministrisë, 16 persona janë paraqitur në Spitalin Universitar të Traumës. Prej tyre, 12 janë protestues, dy përfaqësues të medias dhe dy efektivë policie.
Mes protestuesve të lënduar është edhe i riu që u godit në sy me plumb gome. Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente gjatë ditës së djeshme.

Lidhur me gjendjen e tij shëndetësore, Ministria e Shëndetësisë njofton se sot do të zhvillohet një konsultë e zgjeruar me specialistë nga Spitali Universitar i Traumës dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me qëllim përcaktimin e hapave të mëtejshëm të trajtimit.
Ndërkohë, në QSUT kanë marrë ndihmë mjekësore pesë persona: një deputet, një protestues, dy efektivë policie dhe një përfaqësues i medias. Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe janë larguar nga spitali.
Dy efektivë të tjerë të policisë janë paraqitur në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2 në Tiranë, ku kanë marrë ndihmën mjekësore dhe më pas janë larguar.
Në total, numri i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas protestës së 24 tetorit arrin në 23. Vëmendja mbetet te gjendja shëndetësore e protestuesit të dëmtuar në sy, për të cilin pritet vlerësimi i mëtejshëm nga ekipi i përbashkët i specialistëve.
Burimi: RTKLive




