Për vite me radhë, B.B. thotë se është përballur me dhunë, kërcënime dhe frikë nga ish-bashkëshorti. Edhe pse kishte kërkuar ndihmë nga institucionet dhe kishte pasur urdhra për mbrojtje, sipas saj, dhuna nuk ishte ndalur. Madje, ajo rrëfen se ish-bashkëshorti kishte shkuar edhe te banesa e saj, duke e kërcënuar se do ta vriste.

Dokumentet që posedon KIKS Kosova dëshmojnë për raportime në polici, procedura gjyqësore, aktakuza dhe vendime ndaj ish-bashkëshortit të saj. Në njërin prej aktgjykimeve përshkruhen edhe kërcënimet me vdekje ndaj B.B. dhe vajzës së saj. Ndërkaq, përgjigjet e institucioneve tregojnë se ai ishte dënuar një herë për dhunë në familje, sipas evidencave të Gjykatës Themelore në Pejë.
Rasti i B.B.-së vjen në një kohë kur shifrat e dhunës në familje vazhdojnë të jenë shqetësuese. Sipas të dhënave të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti janë evidentuar gati një mijë viktima, prej të cilave 80 për qind janë gra. Në 90 për qind të rasteve, personat e dyshuar apo të akuzuar janë burra.
Përfaqësuesi i GLPS-së, Liridon Salihu, ka ngritur shqetësime për mangësitë në polici, prokurori dhe gjykata, zvarritjen e seancave dhe dënimet që, sipas tij, nuk po arrijnë ta parandalojnë këtë fenomen.
Ai ka theksuar edhe nevojën për zbatimin e Konventës së Stambollit, e cila i obligon institucionet të parandalojnë dhunën ndaj grave, të mbrojnë viktimat dhe të ndëshkojnë kryerësit.





