Sot pritet të mbahet në mungesë seanca e shqyrtimit kryesor ndaj të akuzuarit në rastin e vrasjes së Diana Kastratit.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, seanca pritet të nisë në orën 09:30.
Ndërkaq, disa ditë më parë, Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e Adnon Jasharit, i cili është në kërkim nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.
Sipas Policisë, kërkesa për lokalizimin e të dyshuarit është bërë në bazë të urdhëresës së Gjykatës, lidhur me seancën e caktuar për 10 nëntor 2026.
Me këtë rast, Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacione për vendndodhjen e tij, t’i ndihmojnë organet e rendit në identifikimin dhe lokalizimin e tij.
“Policia e Kosovës, bazuar në urdhëresën e Gjykatës për seancën e datës 10 nëntor 2026, kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e të dyshuarit Adnon Jashari, i kërkuar për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’. Kushdo që ka informacione për vendndodhjen e tij, të na njoftojë përmes adresës elektronike info@kosovopolice.com ose duke u paraqitur direkt në stacionin më të afërt”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Telegrafi/




