Një rast i rëndë i dhunës ndaj të miturve në Neubrandenburg të Gjermanisë ka tronditur opinionin publik.

Policia ka identifikuar 12 fëmijë dhe adoleshentë të dyshuar për përfshirje në sulmin ndaj një 14-vjeçari, ndërsa mes tyre, sipas autoriteteve, ka edhe shtetas me prejardhje shqiptare.
Sipas raportimit të mediumit gjerman BILD, viktima dyshohet se është rrahur dhe keqtrajtuar për disa orë nga një grup fëmijësh dhe adoleshentësh të moshës 9 deri në 15 vjeç, transmeton Telegrafi.
Ngjarja ka ndodhur në qytetin Neubrandenburg, në landin Mecklenburg-Vorpommern, ndërsa pamjet e incidentit janë filmuar nga disa kënde dhe kanë qarkulluar për një kohë në rrjetet sociale.
Sipas policisë, hetimet kanë çuar në identifikimin e 12 personave të dyshuar për përfshirje në ngjarje.
Disa prej tyre dyshohet se kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në dhunë, ndërsa të tjerë kanë filmuar incidentin.
Në mesin e të dyshuarve, sipas autoriteteve gjermane, janë gjermanë, shqiptarë, tunizianë dhe persona me prejardhje gjermano-turke.
Fillimisht, policia kishte bërë të ditur se i mituri kishte pësuar lëndime të lehta. Megjithatë, pas një vlerësimi mjekësor, ai u klasifikua si i lënduar rëndë dhe u dërgua për trajtim në spital.
Sipas të dhënave të publikuara nga policia, gjatë sulmit dyshohet se ndaj tij janë përdorur grushte, shqelma dhe sende të ndryshme, ndërsa i janë shkaktuar edhe djegie.
Hetuesit kanë sekuestruar telefonat e të dyshuarve, ku janë gjetur materiale filmike që kanë ndihmuar në zbardhjen e rastit dhe në përcaktimin e rolit të secilit person.
Policia gjermane po heton rastin për vepra të dyshuara penale, përfshirë lëndimin e rrezikshëm trupor, detyrimin dhe fyerjen. Autoritetet nuk kanë dhënë hollësi të tjera për personat që dyshohet se kanë pasur rolin kryesor në sulm, duke përmendur arsyet hetimore.
Për të dyshuarit nën moshën 14-vjeçare, pasojat do të trajtohen në bashkëpunim me shërbimet përkatëse për mbrojtjen e të miturve, pasi sipas ligjit gjerman ata nuk kanë përgjegjësi penale.
Rasti vazhdon të jetë nën hetim nga policia kriminale e Neubrandenburgut./Telegrafi/




