Goce Sedloski nuk është më përzgjedhës i Përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut. Federata e Futbollit e këtij vendi ka njoftuar se ka arritur marrëveshje për ndërprerjen e bashkëpunimit.

Ish-futbollisti 52-vjeçar largohet pas 11 muajsh në krye të përfaqësueses, në një periudhë që u karakterizua nga rezultate shumë të dobëta. Në dhjetë ndeshjet e zhvilluara nën drejtimin e tij, Maqedonia e Veriut nuk arriti asnjë fitore, duke regjistruar tetë humbje dhe dy barazime, me gol-dallim 1:23.
Veçanërisht zhgënjyese ishte paraqitja në Ligën e Kombeve, ku maqedonasit i humbën të gjashtë ndeshjet në grup ndaj Zvicrës, Skocisë dhe Sllovenisë.
Sedloski ishte emëruar në këtë detyrë më 22 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa debutimin e pati në mars, në gjysmëfinalen e play-offit kualifikues për Kupën e Botës, ku Maqedonia e Veriut u mposht 4-0 nga Danimarka.
Një tjetër statistikë që e dëshmon vështirësinë e këtij mandati është fakti se përfaqësuesja maqedonase nuk kishte shënuar në tetë ndeshje radhazi.
Kjo seri u ndërpre në nëntor, kur Elmin Rastoder realizoi në ndeshjen si mysafire ndaj Skocisë, por ai mbeti goli i vetëm i Maqedonisë së Veriut gjatë gjithë mandatit të Sedloskit.
Ndeshjen e fundit në stolin e përfaqësueses, Sedloski e zhvilloi më 16 nëntor, kur Maqedonia e Veriut u mposht 3-0 nga Sllovenia në Shkup.
Në njoftimin e saj, Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se ndarja është realizuar me marrëveshje të dyanshme, duke e falënderuar Sedloskin për angazhimin dhe kontributin e tij në futbollin maqedonas.
Pasardhësi i tij pritet ta marrë drejtimin e skuadrës para ndeshjeve të marsit kundër Qipros, të rëndësishme për qëndrimin në Ligën B të Ligës së Kombeve. /Telegrafi/





