Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka publikuar pamje nga një sulm i forcave ukrainase ndaj një anijeje luftarake ruse në portin e Bengazit, në Libi.

Zelensky e ka cilësuar sulmin si një “operacion shembullor ukrainas”, duke bërë të ditur se gjatë tij janë përdorur shtatë dronë detarë.
Objektiv i sulmit ishte anija luftarake ruse Merkury, një nga anijet më të reja të flotës ruse, e cila hyri në shërbim në vitin 2023.
Sipas presidentit ukrainas, anija kishte ndaluar në bazën detare të Bengazit për t’u furnizuar me karburant dhe pajisje, gjatë rrugës së kthimit drejt Rusisë.
Vlera e saj llogaritet në rreth 173 milionë euro.
Sulmi vjen në një kohë kur Ukraina po zgjeron operacionet kundër objektivave ruse edhe jashtë territorit të saj.
Libia mbetet e ndarë politikisht që nga rrëzimi i diktatorit Muammar Gaddafi në vitin 2011.
Qeveria e mbështetur nga Kombet e Bashkuara ndodhet në Tripoli, ndërsa administrata rivale në lindje të vendit ka lidhje me Rusinë.
Në mars, forcat ukrainase që vepronin në pjesën perëndimore të Libisë goditën edhe një cisternë ruse në Mesdhe, pranë ujërave të Maltës, në një sulm të dyshuar me dron detar.
Sipas zyrtarëve libianë të cituar nga Associated Press, personeli ukrainas, kryesisht specialistë të dronëve, kishte vepruar nga baza ushtarake në Misrata, si dhe nga objekte të tjera në Tripoli dhe Zawiya. /Telegrafi/





