Një biznesmen nigerian, i njohur me nofkën “Over Size”, është arrestuar së bashku me pesë shtetas meksikanë, pas zbulimit të një laboratori të madh për prodhimin e metamfetaminës në qytetin Enugu të Nigerisë.

Chuks Enoch Ezeike, 63-vjeçar, dyshohet se kishte rekrutuar specialistë nga Meksika, kishte organizuar hyrjen e tyre në Nigeri përmes pasaportave të falsifikuara dhe kishte krijuar një laborator të fshehtë për prodhimin industrial të drogës.
Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan 1 mijë e 512 kilogramë metamfetaminë, me vlerë të përllogaritur prej rreth 226.8 milionë dollarësh. Po ashtu, u gjetën edhe 6.68 tonë kimikate dhe pajisje industriale që përdoreshin për prodhimin e drogës.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Nigerisë për Zbatimin e Ligjit Kundër Drogave (NDLEA), operacioni lidhet me një rrjet ndërkombëtar që shtrihej nga Meksika, përmes Kolumbisë, Francës dhe Beninit, deri në Nigeri.
Pesë shtetasit meksikanë dyshohet se ishin angazhuar për prodhimin e drogës, ndërsa Oscar Ramos-Cardenas është identifikuar si specialisti kryesor i grupit.
Hetuesit bëjnë të ditur se laboratori ishte ndërtuar prapa një kompanie të naftës në Enugu. Brenda objektit ishte siguruar edhe akomodimi, në mënyrë që specialistët meksikanë të jetonin dhe të punonin aty pa tërhequr vëmendjen.
Biznesmeni Ezeike kishte tërhequr vëmendjen e mediave nigeriane edhe më herët. Në vitin 2025, ishte raportuar se ai, atëherë 62-vjeçar, ishte martuar me një vajzë 16-vjeçare.
NDLEA ka bërë të ditur se operacioni ishte pjesë e një aksioni më të gjerë ndërkombëtar, duke paralajmëruar se Nigeria nuk do të lejojë të shndërrohet në bazë prodhimi për kartelet e huaja të drogës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





