Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, e ka akuzuar Qeverinë Kurti se kriza energjetike ën Kosovës nuk po menaxhohet siç duhet, por po shuhet e po heshtet.

Për masat e miratuara së fundmi nga ekzekutivi, Ymeri tha se nuk kanë efekt, duke shtuar se edhe mënyra se si po furnizohet me rrymë Kosova këto ditë është qasje arkaike, “ndonëse është viti 2026”.
“Mungesa e rrymës elektrike në zona industriale përveç se në zona rurale është pjesë e menaxhimit të keq të dimrit të vështirë, për vitin e 6-të tanimë.
Poashtu, tensioni i ulët që po përdoret si metodë për ulje të ngarkesës, e ka të njejtin efekt, pamundëson punën e fabrikave edhe shpenzon rrymë, pra KEDS paguhet por puna nuk kryhet.
Siç i kam thënë edhe vet kryeministrit Kurti, ai nuk do bëj gjë mirë, krejt është puna sa bëjmë ne, sa durojmë ne.
Masat e miratuara nuk kanë efekt, por edhe si po furnizohet me rrymë Kosova këto ditë është qasje arkaike ndonëse është viti 2026.
1. Ndal rrymën në zona rurale me orë të gjata.
2. Zvogëlo tensionin në zona industriale.
3. Ndal rrymën në intervale më të shkurtra në qytete.
Thuaj disa konsumatorëve se po punohet, thuaj disa të tjerëve se ka probleme me nënstacion, ndërkohë miratohen masa kozmetike se gjoja situata po menaxhohet.
Kriza energjetike nuk po menaxhohet por po shuhet, heshtet, përderisa në bartje figurojnë kompani me pronësi të njejtë si në vitin e kaluar.
Kompani të ashtuquajtura mafi energjetike nga Kurti, kompani greke, tregtarë nga Shqipëria që nuk prodhojnë rrymë, sikurse në nëntor 2025.” /Klankosova.tv





