Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, është thirrur zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme e Brukselit për të dëshmuar në një proces gjyqësor që do të zhvillohet në Belgjikë.

Telegrafi ka siguruar dokumentet zyrtare lidhur me këtë rast, sipas të cilave Haliti duhet të paraqitet më 19 nëntor 2026, në orën 12:00, para Gjykatës së Krimeve të Rënda me Juri në provincën Brabant Wallon, në qytetin e Nivelles. Prania e tij kërkohet nga ora 11:30.
Thirrja është bërë në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Andrija Drashkoviqit, i lindur më 3 nëntor 1964 në Mitrovicë të Kosovës, i cili përballet me akuza për vepra të rënda penale.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Telegrafi, Xhavit Haliti është thirrur për të dhënë dëshmi lidhur me faktet e përfshira në aktakuzën ndaj Drashkoviqit.
Thirrja është lëshuar nga Prokuroria e Përgjithshme pranë Gjykatës së Apelit në Bruksel, ndërsa njoftimi zyrtar i është dorëzuar Halitit përmes përmbaruesit gjyqësor, Philippe Grumbers.
Andrija Drashkoviq, së bashku me ish-shefin e UDB-së për kundër emigracionit shqiptar dhe kroat, janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e veprimtarit të çështjes kombëtare, Enver Hadri.
Ndërkaq, Bozhidar Spasiq, ish-zyrtar i shërbimit sekret jugosllav, ka pranuar se kishte organizuar atentatin kundër Xhavit Halitit dhe familjes së tij në Cyrih të Zvicrës, si dhe kundër Xhafer Shatrit në Gjenevë.
Thirrja e Halitit për të dëshmuar në këtë proces gjyqësor vjen në një kontekst ku trajtohen edhe krimet e ish-strukturave të shërbimit sekret jugosllav ndaj veprimtarëve shqiptarë në diasporë.





