Ushtria amerikane planifikon ta transmetojë drejtpërdrejt ekzekutimin me pushkatim të Nidal Hasan, ish-psikiatrit të ushtrisë që vrau 13 persona dhe plagosi 32 të tjerë në bazën ushtarake Fort Hood, në Teksas, në vitin 2009. Njoftimi u bë nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ndërsa Pentagoni konfirmoi se transmetimi do të realizohet, pa dhënë ende hollësi të mëtejshme.

Ekzekutimi është planifikuar për 3 dhjetor në Fort Hood. Nëse realizohet sipas planit, ai do të jetë ekzekutimi i parë i një pjesëtari të ushtrisë amerikane që nga viti 1961 dhe ekzekutimi i parë ushtarak me pushkatim që nga viti 1945, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Do të sigurohemi që njerëzit të mund ta shohin, që kjo të jetë publike, sepse njerëzit duhet ta kuptojnë se veprime të tilla kanë pasoja të rënda”, tha Hegseth në një intervistë me komentatorin konservator Jack Posobiec.
Ai shtoi se Hasan do të ekzekutohet nga një skuadër ushtarësh. I pyetur nëse i dënuari kishte paraqitur ndonjë kërkesë të fundit, Hegseth u përgjigj: “Nuk më intereson. Do ta shohim më 3 dhjetor”, transmeton Telegrafi.
Hasan hapi zjarr më 5 nëntor 2009 në një qendër për përpunimin dhe përgatitjen e personelit ushtarak në Fort Hood. Një juri ushtarake e shpalli fajtor për vrasje dhe tentativë vrasjeje në vitin 2013 dhe e dënoi me vdekje. Hasan, ish-major i ushtrisë amerikane, ka qëndruar në pritje të ekzekutimit pas një procesi të gjatë ligjor. Presidenti Donald Trump e miratoi ekzekutimin me pushkatim në fillim të kësaj jave, sipas njoftimeve zyrtare.
Vendimi për ta transmetuar ekzekutimin drejtpërdrejt ka nxitur debat mbi dënimin me vdekje, kufijtë e transparencës publike dhe dinjitetin e personit të dënuar. Ekspertë të së drejtës ushtarake dhe të dënimit me vdekje kanë ngritur pyetje për arsyet e transmetimit dhe për faktin nëse ekzekutimi rrezikon të kthehet në një spektakël publik.
Elisabeth Semel, bashkëdrejtuese e Klinikës për Dënimin me Vdekje në Fakultetin Juridik të Universitetit të Kalifornisë në Berkeley, tha se njoftimi ngre çështje të rëndësishme ligjore dhe të politikave publike, përfshirë mënyrën se si do të ruhet dinjiteti i të dënuarit dhe kush do të lejohet ta ndjekë ekzekutimin.
Nga ana tjetër, Deborah Denno, profesoreshë e së drejtës në Universitetin Fordham dhe eksperte e dënimit me vdekje, tha se transmetimi mund ta bëjë procesin më transparent dhe ta ndihmojë publikun të kuptojë më mirë se çfarë përfshin zbatimi i dënimit kapital.
Brenner Fissell, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit Villanova, vuri në dukje se disa shtete amerikane po e shqyrtojnë pushkatimin si alternativë ndaj injeksionit vdekjeprurës, për shkak të vështirësive për sigurimin e barnave dhe gjetjen e personelit mjekësor të gatshëm të marrë pjesë në ekzekutime. Megjithatë, ai tha se në rastin e njoftimit të Hegseth-it, vendimi mund të lidhet më shumë me simbolikën ushtarake dhe theksimin e forcës sesa me këto shqetësime praktike.
Debati po zhvillohet edhe në kontekstin e pyetjeve të reja për mënyrat e ekzekutimit në SHBA, pas një ekzekutimi të dështuar me injeksion vdekjeprurës në Tennessee. Ndërsa disa ekspertë e shohin transmetimin si një mënyrë për të rritur transparencën, të tjerë paralajmërojnë për pasojat etike dhe shoqërore të shndërrimit të një ekzekutimi në ngjarje publike.
Sipas Amnesty International, raporti i organizatës për ekzekutimet gjatë vitit 2025 dokumentoi të paktën 17 ekzekutime publike në botë: 11 në Iran dhe gjashtë në Afganistan. /Telegrafi/




