Loja e shumëpritur Grand Theft Auto VI (GTA 6), e lansuar më 19 nëntor 2026, ka shënuar rekord historik, duke shitur mbi 32 milionë kopje brenda 24 orëve të para.

Sipas të dhënave të kompanisë Take-Two Interactive, shitjet gjatë ditës së parë arritën në 3.79 miliardë dollarë, duke e bërë GTA 6 një nga lançimet më të suksesshme në historinë e industrisë së argëtimit.
Suksesi i jashtëzakonshëm i lojës ka tërhequr edhe vëmendjen e administratës së presidentit amerikan Donald Trump.
Zëvendëspresidenti JD Vance publikoi një imazh të krijuar me Al, ku ai dhe Trump shfaqen në stilin grafik të GTA 6, të shoqëruar me mbishkrimin “Epoka e artë është tani”.
Publikimi shkaktoi reagime dhe kritika në rrjetet sociale, ku përdoruesit ironizuan përdorimin e Al dhe faktin se seria GTA njihet për satirën ndaj shoqërisë amerikane.
Ndërkohë, Departamenti amerikan i Arsimit publikoi një pamje nga kërkimi në Google, ku pyetej nëse djemtë mund të merrnin pjesë në sportet e vajzave brenda lojës GTA 6.
Përgjigjja e Al tregonte se loja nuk përmban liga sportive të ndara sipas gjinisë. Megjithatë, departamenti e shoqëroi publikimin me mesazhin: “Nëse nuk lejohet në Vice City, nuk duhet të lejohet as këtu”.
Postimi nxiti kritika dhe tallje në internet, pasi përdoruesit theksuan se institucioni amerikan kishte keqinterpretuar përgjigjen e Al. /Telegrafi/





