Tensione dhe protesta në Poloni, kryeministri “nuk lëshon pe”: Reforma do të shkojë deri në fund

Tensione dhe protesta në Poloni, kryeministri “nuk lëshon pe”: Reforma do të shkojë deri në fund

Tensione dhe protesta në Poloni, kryeministri “nuk lëshon pe”: Reforma do të shkojë deri në fund

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, është zotuar se do ta çojë deri në fund reformën e kontestuar të Gjykatës Kushtetuese të vendit, duke deklaruar se “për disa çështje nuk mund të ketë kompromis”.

Sponsor 3M Express

Në një fjalim televiziv të transmetuar në orët e mbrëmjes të së shtunës, Tusk u shfaq i vendosur, pavarësisht protestave të zhvilluara gjatë natës, të cilat detyruan angazhimin e njësive të policisë për të mbrojtur ndërtesën e gjykatës.

Ai tha se ndryshimet janë të domosdoshme për të rikthyer funksionimin e një institucioni që, sipas tij, është paralizuar nga konfliktet politike prej vitesh.

Gjykata Kushtetuese ka qenë në qendër të përplasjeve për sundimin e ligjit mes partisë së djathtë Ligj dhe Drejtësi (PiS) dhe Bashkimit Evropian, gjatë tetë viteve të qeverisjes së kësaj partie, shkruan the Guardian.

Që prej rikthimit në pushtet në vitin 2023, Tusk ka synuar të zhbëjë ndryshimet në sistemin gjyqësor të ndërmarra nga qeveritë e mëparshme. Megjithatë, agjenda e tij është penguar nga presidentët e lidhur me opozitën, të cilët kanë kompetenca të gjera për të ushtruar veto. Në fillim të këtij viti, presidenti Karol Nawrocki refuzoi të betonte pesë gjyqtarë të miratuar nga parlamenti.

Kriza u përshkallëzua sërish të premten, kur një grup gjyqtarësh të mbështetur nga qeveria tentuan të marrin kontrollin procedural të gjykatës, duke pezulluar kryetarin dhe zëvendëskryetarin e saj, të emëruar nga PiS. Ky veprim nxiti protesta në rrugët e vendit.

Duke mbrojtur vendimin, Tusk deklaroi se “nuk ka pasur kurrë dyshim se gjykata, në formën që i imponoi PiS, nuk ishte një gjykatë e mirëfilltë”, duke iu referuar vendimeve të pafavorshme të gjykatave evropiane.

Ai e krahasoi reagimin e opozitës me rastin e një hajduti që i rrëmben çantën një gruaje të moshuar, largohet me vrap dhe, kur kapet, bërtet se po i ushtrohet dhunë.

“Le t’i quajmë gjërat me emrin e tyre: prej vitesh në Poloni ka organizata dhe politikanë që synojnë të shkatërrojnë demokracinë dhe sundimin e ligjit. Nuk është rastësi që ata gjejnë mbështetje te forcat proruse në mbarë botën”, tha Tusk.

Më pas, ai vuri në dukje se edhe ish-presidenti rus Dmitry Medvedev ishte rreshtuar në krah të opozitës në kundërshtimin e reformës, duke i cilësuar ndryshimet si “grusht kushtetues” dhe si një përndjekje të konservatorëve.

“Dhe gjithçka bëhet e qartë”, u shpreh Tusk.

Kryeministri kritikoi gjithashtu presidentin Nawrocki, i cili gjatë protestave të së premtes në mbrëmje iu bashkua demonstruesve dhe hyri me forcë në ndërtesën e gjykatës për të ndërhyrë.

“Në një shtet demokratik, asnjë politikan nuk mund të hyjë në një gjykatë për të dhënë urdhra apo për të frikësuar gjyqtarët – madje as presidenti”, deklaroi Tusk.

“Ne, polakët, kemi arritur shumë në ndërtimin e një shteti të fortë për t’u dorëzuar tani”, shtoi ai.

Tusk theksoi se qeveria ka detyrimin të garantojë sigurinë dhe kushtet e nevojshme për funksionimin e gjykatës.

“Dhe unë kam ndërmend ta përmbush këtë detyrim”, përfundoi kryeministri polak. /Telegrafi/

Lexo edhe

Tragjedia në Demiraj, detaje të reja nga vdekja e 27-vjeçarit dhe foshnjës në Gjilan – nëna e vogëlushes nuk jetonte me ta

Tragjedia në Demiraj, detaje të reja nga vdekja e 27-vjeçarit dhe foshnjës në Gjilan – nëna e vogëlushes nuk jetonte me ta

Qindra mijëra ukrainas pa energji elektrike pas sulmeve ruse, thotë Zelensky

Qindra mijëra ukrainas pa energji elektrike pas sulmeve ruse, thotë Zelensky

E trishtë: Ky është 27-vjeçari që u gjet i pajetë bashkë me foshnjën në Demiraj të Gjilanit

E trishtë: Ky është 27-vjeçari që u gjet i pajetë bashkë me foshnjën në Demiraj të Gjilanit

Tensione dhe protesta në Poloni, kryeministri “nuk lëshon pe”: Reforma do të shkojë deri në fund | Momenti