Policia e Kosovës nënshkroi tenderin për furnizimin me goma të dimrit tek këtë 5 nëntor me të njëjtën kompani që e kishte anuluar më parë.

Tenderi mbi 70 mijë euro iu dha kompanisë “Goma pro sh.p.k” me negocim, e njoftimi për këtë u bë publik më 5 nëntor, raporton Klan Kosova.
Klani mëson se në tenderin e parë të hapur të PK-së për gomat, i shpallur në qershor të këtij viti, aplikuan 3 kompani përfshirë edhe operatorin e tashëm fitues. Por, asnjëra atëbotë si plotësonte kushtet.
Më pas, u bë ritenderimi – proces ky që ndonëse i quajtur ekstra emergjent, përsëri u anulua.
E ani se tash policia ka nënshkruar ujdinë, në pikëpyetje mbetet nëse furnizimi do të bëhet me kohë.
Kjo për shkak se data kur në rrugë s’bën të qarkullohet me goma vere, është 15 nëntori, teksa kontrata, sipas dokumentit të siguruar nga Klan Kosova, e parasheh një afat prej 30 ditësh për furnizim.
Televizioni ka nisur pyetje në adresën e kompanisë, por deri në publikimin e kronikës nuk ka pranuar përgjigje.
Këta janë të obliguar të furnizojnë policinë me 1318 goma, plus minus 30 copë.
Përveç anulimit të përsëritur, ajo që tërheq vëmendje te kjo kontratë është se ajo u nënshkrua nga drejtori i Prokurimit Artan Fejza, që tash është i suspenduar, dhe i cili dyshohet për keqpërdorime në tenderë, e konflikte interesi.
Për më shumë, ndiqeni kronikën:




