Lionel Messi i ka dhënë fund karrierës së jashtëzakonshme ndërkombëtare, që zgjati plot 21 vjet.
Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, legjenda argjentinase u përshëndet për herë të fundit me tifozët e Argjentinës, ndërsa edhe paraqitja e tij e fundit me fanellën e kombëtares ishte e mbushur me shkëlqim.
Në një mbrëmje thuajse të përsosur, 39-vjeçari realizoi golin e tij të 126-të ndërkombëtar, ndërsa Argjentina fitoi 3:0 ndaj Beninit në Buenos Aires.
Rreth 85 mijë tifozë ishin të pranishëm në stadiumin ikonik “Monumental” për të përcjellë nga afër paraqitjen e fundit të njërit prej futbollistëve më të mëdhenj në histori.
Messi zhvilloi ndeshjen e tij të 208-të me Argjentinën, duke vendosur një tjetër rekord. Përveç golit, ai asistoi edhe për Nicolas Otamendin, i cili realizoi golin e parë të takimit. Në listën e realizatorëve u regjistrua edhe Nico Paz.
Por rezultati dhe statistikat ishin në plan të dytë.
E gjithë vëmendja ishte te Messi dhe lamtumira e tij me fanellën që e veshi për më shumë se dy dekada. Ai shijoi për herë të fundit adhurimin e tifozëve argjentinas në “Monumental”, në një natë të mbushur me emocione.
Ngjarja ishte pagëzuar “Tangoja e Fundit” – një përshkrim simbolik për mbylljen e kapitullit të jashtëzakonshëm të Messit me Argjentinën.
Pas 21 vjetësh, 208 paraqitjeve dhe 126 golave, Messi largohet nga skena ndërkombëtare duke lënë pas një trashëgimi të rrallë në historinë e futbollit.




