Spitali Universitar i Bazelit (USB) do të reduktojë nga viti 2027 orarin javor të punës për mjekët rezidentë, nga 46 në 45 orë.
Vendimi, i miratuar nga bordi drejtues në shtator, synon përmirësimin e kushteve të punës dhe vjen në një kohë kur sektori shëndetësor zviceran po përballet me mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar.
Sipas USB-së, reduktimi i orarit do të realizohet përmes optimizimit të proceseve të punës, pa transferuar ngarkesën shtesë te mjekët e lartë apo te grupet e tjera profesionale.
Përveç 45 orëve të punës, mjekëve rezidentë do t’u garantohen edhe katër orë në javë për edukim dhe trajnim të vazhdueshëm, shkruan Watson, transmeton Telegrafi.
Bazeli nuk është spitali i parë në Zvicër që po ndërmerr hapa për shkurtimin e orarit të punës për mjekët rezidentë.
Në kantonin Ticino, grupi spitalor EOC e ka ulur që nga viti 2024 orarin javor nga 50 në 42 orë, duke përfshirë edhe katër orë trajnim.
Edhe Spitali Universitar i Cyrihut dhe Spitali Kantonal i Winterthurit planifikojnë ta reduktojnë orarin në 42 orë pune, plus katër orë trajnim, deri në vitin 2028.
Masat po ndërmerren në kuadër të përpjekjeve për t’i bërë vendet e punës në sektorin shëndetësor më tërheqës./Telegrafi/




