Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pranuar një letër urimi nga Ylli Bajraktari, president i Special Competitive Studies Project (SCSP), me rastin e zgjedhjes së saj në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Në letër, Bajraktari shpreh përgëzimet e tij për zgjedhjen e presidentes Shiroka-Pula dhe rithekson përkushtimin e SCSP-së për të mbështetur përpjekjet e Kosovës në zhvillimin e kapaciteteve teknologjike, avancimin e potencialit të të rinjve dhe forcimin e lidhjeve me komunitetin global të inovacionit, transmeton Klankosova.tv.
Ai ka vlerësuar se Kosova ka mundësi të rëndësishme për të përfituar nga zhvillimi i inteligjencës artificiale, duke pasur parasysh potencialin e të rinjve, ekosistemin në rritje të teknologjisë dhe ndërmarrjet e reja inovative që kanë dëshmuar aftësinë për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare.
Sipas Bajraktarit, zhvillimi i inteligjencës artificiale po ndryshon rrënjësisht ekuilibrat ekonomikë, teknologjikë dhe gjeopolitikë në nivel global, duke krijuar mundësi të reja edhe për shtetet e vogla që arrijnë të mobilizojnë talentin, të përqafojnë inovacionin dhe të veprojnë me shpejtësi e vizion.
Në këtë drejtim, ai thekson se Kosova ka talente, energji sipërmarrëse dhe lidhje ndërkombëtare të nevojshme për ta shndërruar potencialin e saj në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, siguri kombëtare dhe ndikim ndërkombëtar.
Në letrën drejtuar Shiroka-Pulës, Bajraktari njofton gjithashtu se SCSP-ja planifikon të sjellë në Kosovë, muajin e ardhshëm, një delegacion prej rreth 60 liderësh të rinj nga vende të ndryshme të botës dhe i cili do ë takohet me Presidenten.
Ai ka shprehur bindjen se kjo vizitë do të krijojë mundësi për t’ua prezantuar një brezi të ri të liderëve globalë kapacitetet, talentin dhe potencialin e Kosovës.




