Raporton: Dosja

Rreth vitit 2010, fëmija i Norës- emër i vendosur nga redaksia, kishte qenë viktimë e një aksidenti.
Si rezultat i lëndimeve të marra, fëmija dyshohet të ketë fituar një sëmundje të përhershme.
Për këtë, e ëma kishte ushtruar padi pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan, gjykatës i së cilës ishte Avdirrahman Gashi.
Gashi në aktgjykimin e parë i kishte njohur palës së dëmtuar kompensimin e dëmit në vlerë mbi 100 mijë euro. Mirëpo Apeli e kishte kthyer në rivendosje.
Në vitin 2023, për herë të parë pas rreth 1 dekade, ekipi i parë i ekspertëve shëndetësorë kishte konstatuar se sëmundja kishte ardhur si rezultat i aksidentit.
Pikërisht në këtë periudhë, Nora thotë se ishte telefonuar nga gjyqtari Gashi për të shkuar në zyrën e tij.
Mirëpo, kërkesa nuk kishte vlejtur edhe për avokatin e saj.
“Nora: Tamon qetu ka lind ajo tmerri për jetën tem, 2023. Kur kanë vendos që ka lidhje kauzale, gjyqtari në fjalë ka fillu në njëfarë forme me josh e me më bind mu për me bo një marrëveshje. Fillimisht e ka ftu avokatin dhe drejtorin e kompanisë në zyre. E më ka ftu edhe mu pa prezencën e avokatit më ka thanë hajde veç ti. Edhe unë jom shku se nuk e kom ditë
Gazetarja: Do me thanë të ka thirr në telefon direkt?
Nora: Po, nuk e kom ditë qëllimin e tij pse, se isha msu me shku për landë të fëmijës.
Gazetarja: Çka të ka thanë në telefon?
Nora: Më ka thanë hajde se kena me bisedu diçka për landën e fëmijës tonë, veç ma ka thanë hajde pa avokatin”.
Me të arritur në zyrën e gjyqtarit, Nora thotë se kishte kuptuar se në fakt gjyqtari Gashi nuk e kishte ftuar me qëllim për t’u konsultuar rreth lëndës.
Sipas saj, në këtë takim jozyrtar, përveç gjyqtarit, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesi ligjor i kompanisë së sigurimeve dhe drejtori i kësaj kompanie.
Si rrjedhojë, ajo thotë se kishin tentuar ta bindin për të arritur marrëveshje mbi shumën e kompensimit, për t’iu shmangur procesit gjyqësor.
“Jom shku, kur kom hy në zyrën e tij ka qenë gjyqtari, ajo vajza që punojke me bo, edhe ka qenë një burr që se kom njoftë, edhe avokatin e kompanisë që më kish ra me u taku nëpër seanca të fëmijës. Avokatin e njofta, atë burrin tjetër jo, po në ndërkohë gjatë bisedës e kuptova që ai burri tjetër u kanë drejtori i kompanisë të sigurimeve ku kisha mu bo. Edhe më tha që këta kanë ardh me bo një marrëveshje me bo me ty, ti duhesh me bo e sene a e dinë. Këta po të ofrojnë pare, mi kanë ofru asaj kohë 50 mijë euro, llafe goje, gjyqtari me ka thanë 50 mijë euro i ki. I kom thanë nuk di duhet me fol me avokatin, se nuk e di qysh shkon kjo punë. Me me ngu mu s’flet me to se ai po të bon keq, nuk është tu punu për ty”.
Mirëpo, ajo thotë se i kërkoi gjyqtarit Avdirrahman Gashi, që për arritjen e marrëveshjes të mendojë më gjatë.
Me të dalë nga takimi, ajo thotë se ka njoftuar avokatin, i cili kishte kundërshtuar që propozimin për marrëveshje me kompaninë.
Nora pretendon se, përmes disa fotografive të komunikimit në platformën Viber, dëshmohet se e kishte njoftuar gjyqtarin për vendimin e saj për të vazhduar procesin gjyqësor.
Në anën tjetër, gjyqtari Gashi i ishte përgjigjur duke thënë se “jam munduar të gjejë një zgjidhje me kompaninë në interesin tuaj”, përkundër se këtë Nora thotë se nuk e kishte kërkuar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




