Një rrjet i madh ndërkombëtar i trafikut të kokainës nga Ekuadori drejt Evropës është shkatërruar pas një operacioni të përbashkët të autoriteteve ekuadoriane, Europolit dhe agjencive spanjolle të zbatimit të ligjit.

Gjatë operacionit janë arrestuar 21 shtetas ekuadorianë, përfshirë dy policë që ishin ende në detyrë.
Sipas hetimeve, organizata kriminale përdorte kompani eksporti si mbulesë për transportimin e kokainës dhe pastrimin e parave. Droga fshihej kryesisht në kontejnerë me ngarkesa frutash, kakaoje, peshku dhe druri, të destinuara për Spanjën, Portugalinë, Belgjikën dhe Holandën.
Hetimet nisën në vitin 2024, pas zbulimit të 13 tonëve kokainë të fshehura në një ngarkesë me banane në portin e Algecirasit, në jug të Spanjës.
Si rezultat i hetimeve, autoritetet sekuestruan gjithsej rreth 45 tonë kokainë në vende të ndryshme, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 1.7 miliardë dollarësh.
Në mesin e të arrestuarve është edhe Jackson Sabrano, i dyshuar si një nga financuesit kryesorë të Wilmer Chavarria, i njohur me nofkën “Pipo”, kreut të bandës kriminale Los Lobos.
Chavarria akuzohet në Ekuador për përfshirje në planifikimin e vrasjes së kandidatit presidencial Fernando Villavicencio, i cili u vra në vitin 2023. Ai ndodhet i ndaluar në Spanjë që nga viti i kaluar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Shkatërrohet rrjeti ndërkombëtar i kokainës, arrestohen 21 persona dhe sekuestrohen 45 tonë drogë appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




