Vizita e ministrit të Brendshëm rus, Vladimir Kolokoltsev, në Islamabad ka vënë në pah shqetësimet e Moskës për sigurinë në rajon, ndërsa Rusia po zgjeron njëkohësisht bashkëpunimin me autoritetet talibane në Afganistan.
Kolokoltsev mbërriti këtë javë në Pakistan për një vizitë katërditore, e para zyrtare e një ministri të Brendshëm rus në këtë vend. Megjithëse deklaratat nga të dyja palët u përqendruan te forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, analistët e lidhin vizitën kryesisht me kërcënimin nga Provinca Khorasan e Shtetit Islamik, e njohur si IS-K.

Kjo degë e Shtetit Islamik është përgjegjëse për sulme të mëdha, përfshirë atë në aeroportin e Kabulit më 2021, shpërthimet në Kerman të Iranit dhe sulmin në sallën e koncerteve Crocus City Hall në Rusi më 2024 raporton REL përcjell Dukagjini.
Vizita pasoi takimin e Konsultimeve të Formatit të Moskës për Afganistanin, ku marrin pjesë edhe Kina, India dhe Irani. Gjatë takimit, përfaqësuesit pakistanezë dhe ata talibanë shkëmbyen akuza për mbështetjen e grupeve militante që rrezikojnë sigurinë rajonale.
Për Rusinë, afrimi me Kabulin shihet si një mënyrë për të frenuar kërcënimet ekstremiste pranë Azisë Qendrore. Talibanët, ndërkaq, kërkojnë nga Moska mbështetje diplomatike dhe ndihmë ushtarake, në një kohë kur marrëdhëniet e tyre me Pakistanin janë përkeqësuar.
Omar Samad, studiues në Këshillin Atlantik dhe ish-ambasador i Afganistanit në Kanada e Francë, e përshkruan këtë afrim si një riorganizim të interesave rajonale. Sipas tij, bashkëpunimi i mundëson Moskës të krijojë një zonë tampon me kosto të ulët dhe të kufizojë veprimtarinë e IS-K, rival ideologjik i talibanëve.
Shqetësimet ruse për grupin u theksuan edhe në maj nga drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë, Aleksandr Bortnikov, i cili paralajmëroi për rekrutimin e shtetasve të Azisë Qendrore dhe punëtorëve migrantë brenda Rusisë.
Moska e njohu zyrtarisht qeverinë talibane në korrik 2025. Ky qëndrim shënon një ndryshim të madh nga vitet 1990, kur Rusia mbështeste forcat që luftonin kundër talibanëve. Afrimi ka nxitur gjithashtu kritika për shkak të kufizimeve të rënda ndaj grave dhe trajtimit të kundërshtarëve politikë nga autoritetet në Kabul.
Bashkëpunimi mes palëve përfshin edhe fushën ushtarake. Në maj, sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Sergei Shoigu, dhe ministri i Mbrojtjes i talibanëve, Mohammad Yaqoob, nënshkruan në Moskë një marrëveshje ushtarako-teknike.
Kushtet e plota nuk janë publikuar. Sipas Yaqoobit, marrëveshja përqendrohet në riparimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve ushtarake ruse që Afganistani zotëron tashmë dhe nuk përbën pakt për mbrojtje të ndërsjellë.
Për talibanët, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse lidhet edhe me përplasjet me Pakistanin. Islamabadi akuzon Kabulin se strehon Tehrik-e Taliban Pakistan, grupin militant të njohur si TTP, i cili ka kryer sulme vdekjeprurëse ndaj civilëve dhe forcave pakistaneze të sigurisë. Autoritetet talibane i mohojnë këto akuza.
Tensionet janë shoqëruar me përleshje kufitare dhe sulme ajrore pakistaneze brenda Afganistanit, të pasuara nga kundërpërgjigje të forcave talibane.
Ndërkohë, disa raportime sugjerojnë një angazhim më të drejtpërdrejtë rus në mbështetjen e kapaciteteve ushtarake të Kabulit. Afghanistan International raportoi në qershor, duke cituar dy burime brenda Ministrisë së Mbrojtjes së talibanëve, se Rusia po ndihmonte në financimin, trajnimin dhe pajisjen e një njësie speciale me 8.000 pjesëtarë.
Sipas këtij raportimi, njësia e quajtur Hibati do të angazhohej kundër IS-K dhe për sigurinë përgjatë kufirit me Pakistanin.
Raportime të tjera kanë përmendur përpjekje të talibanëve për të siguruar dronë dhe pajisje ushtarake nga Bjellorusia. Pretendimet për mbështetje financiare nga India dhe miratim nga Moska nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. Rusia nuk ka njoftuar se po furnizon talibanët me teknologji dronësh apo se po ndihmon në zhvillimin e saj.
Sipas Samadit, afrimi ruso-taliban ka shkaktuar shqetësim në Pakistan, ndërsa Kina dhe Irani ndajnë interesin e Moskës për kufizimin e pranisë ushtarake perëndimore në rajon.
Ai vlerëson se përfitimet ushtarake të talibanëve mbeten të kufizuara dhe lidhen kryesisht me mirëmbajtjen e tankeve e helikopterëve të epokës sovjetike. Për Moskën, ndërkaq, përparësi mbetet frenimi i kërcënimeve që mund të përhapen nga Afganistani drejt Azisë Qendrore dhe territorit rus.
Burimi: Dukagjini




