Banorët e fshatit Treboviq po përballen me mungesë të energjisë elektrike tash e mbi 14 orë, si pasojë e një prishjeje të madhe në linjën 10 kV “Fusha e Pejës”.

Sipas njoftimit të KEDS-it, linja është jashtë funksionit për shkak të një defekti në kabllon magjistrale, ndërsa ekipet teknike janë në terren dhe po punojnë për identifikimin e saktë të vendit të prishjes dhe sanimin e saj.
“KEDS njofton se linja 10 kV Fusha e Pejës është jashtë funksionit për shkak të një prishjeje në kabllon magjistrale të linjës. Ekipet e KEDS-it janë në terren dhe po punojnë për identifikimin e saktë të vendit të prishjes, si dhe për realizimin e punimeve të nevojshme për sanimin e saj në kohën më të shkurtër të mundshme”, tha zëdhënësja e KEDS-it, Bleona Dallaveraj për Klanklankosova.tv.
Tutje, KEDS-i ka kërkuar mirëkuptimin e konsumatorëve të prekur deri në përfundimin e punimeve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike.
Ndërkohë, përmes një njoftimi është bërë e ditur se banorët e Treboviqit presin që furnizimi me energji elektrike të rikthehet sa më shpejt.




