Hulumtuesja Saranda Ramaj ka kritikuar mënyrën se si Policia e Kosovës e ka trajtuar rastin e Arlinda Zekajt, duke thënë se përgjegjësia për atë që ka ndodhur nuk mund t’i hidhet vetëm Prokurorisë.
Në Debat Plus, Ramaj ka thënë se Arlinda u ishte lënë amanet familjarëve në prani të policëve, ndërsa policët, sipas saj, e kishin marrë rolin e taksistit duke e dërguar nga stacioni policor në Pejë deri në Vitomiricë.

“Ajo u është lënë amanet familjarëve ne prani ne policëve dhe policët e luajnë rolin e taksistit.. Arlinda nuk ka pasur nevojë për taksist prej stacionit policor në Pejë deri në Vitomericë, e cila i ka shtatë minuta distancë me veturë nuk ka pasur nevojë për atë gjë”, ka theksuar ajo.
Ajo ka theksuar se Policia ka pasur përgjegjësi të ndërmarrë veprime, pasi sipas saj, zyrtarët policorë kishin parë tensionimin mes të dyshuarit dhe viktimës.
Ramaj ka kundërshtuar arsyetimin se Policia nuk ka përgjegjësi nëse nuk ka marrë udhëzime nga prokurori kujdestar, duke thënë se në situata të tilla policët duhet të veprojnë edhe pa pritur konsultimin me Prokurorinë.
Ajo ka thënë se mënyra se si polici komunikonte me Arlindën tregon për një problem sistemik në trajtimin e grave viktima të dhunës nga Policia e Kosovës.
“Sepse nuk mundesh me thonë po dyshoj që po do me vra , po s’ma ma qel prokurorja ose s’mund me kontaktu prokuroren kujdesore. Nuk është bash kështu… Mu çka më shqetëson, do te thotë biseda edhe tash që na Faruku (polici) ne kemi bo shumë personazhe, gjë që nuk është çështja e emrit personal të Farukut, po mënyra se si bisedon Faruku me tashmë viktimën ne tregon që përgjegjësia e Policisë së Kosovës e ka sistemin kështu, qysh i trajton viktimat gra. Po, tregon që është sistem”, ka deklaruar ajo.
Sipas Ramajt, çështja nuk ka të bëjë vetëm me përgjegjësinë e një zyrtari policor, por me mënyrën se si funksionon i gjithë sistemi në trajtimin e rasteve të tilla.
Burimi: Dukagjini




