Kombëtarja e Kosovës ka pritur sot një mysafire të veçantë në kampin e saj të grumbullimit në hotelin ku po qëndron kombëtarja dardane.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka vizituar “Dardanët”, duke u takuar me futbollistët dhe stafin e kombëtares.
Ajo është pritur nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, përzgjedhësi Franco Foda dhe pjesëtarët e tjerë të kombëtares.
Gjatë takimit, Shiroka Pula i ka përgëzuar futbollistët për mënyrën se si e përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke i cilësuar ata si “ambasadorët më të mirë të vendit”.
Presidentja ka theksuar se përmes talentit, përkushtimit dhe rezultateve të tyre, futbollistët e Kosovës kanë arritur ta çojnë emrin e shtetit në vende ku politika ndonjëherë nuk mundet.
Ajo gjithashtu u ka uruar suksese “Dardanëve” në dy ndeshjet e ardhshme, fillimisht ndaj Izraelit në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe më pas në udhëtim kundër Irlandës.
Shiroka Pula ka përshëndetur veçanërisht edhe tre futbollistët që janë ftuar për herë të parë në kombëtare.
Në fund të vizitës, kreu i FFK-së i ka dhuruar asaj fanellën zyrtare të kombëtares së Kosovës.
Kosova do të luajë ndaj Izraelit të shtunën e 14 nëntorit në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 15:00, para se të luajë ndaj Irlandës në udhëtim, në Dublin, tri ditë më vonë.
Burimi: Insajderi




