Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Fushë Kosovë, pas një intervenimi që nisi pas raportimit se një person i dyshuar kishte kërcënuar një qytetar me armë.
Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari kryesor, mashkull kosovar i nacionalitetit serb, nuk iu bind urdhrave të zyrtarëve policorë për ndalim dhe dorëzim, por u mbyll brenda shtëpisë apo banesës së tij.

Policia bëri të ditur se njësitë e saj, përfshirë njësitë speciale intervenuese dhe operative, njësitë e rendit publik dhe njësinë K9, siguruan perimetrin përreth banesës dhe tentuan për një kohë të gjatë ta bindnin të dyshuarin të dorëzohej në mënyrë të sigurt.
Megjithatë, sipas njoftimit, i dyshuari nuk iu bind thirrjeve të vazhdueshme të policisë, çka bëri që zyrtarët të hapnin me forcë derën dhe të hynin brenda.
Si rezultat i operacionit, policia arrestoi të dyshuarin për kanosje, si dhe një person tjetër, mashkull kosovar, i cili ndodhej brenda në shtëpi dhe dyshohet se pengoi zyrtarët policorë gjatë intervenimit.
Në operacion morën pjesë edhe institucione të tjera, përfshirë zjarrfikësit dhe ekipet e ambulancës. Policia njoftoi se ekzaminimi i vendit të ngjarjes është duke vazhduar nga njësitë përkatëse.
Të gjitha veprimet e mëtejshme, sipas Policisë së Kosovës, po ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Burimi: Dukagjini




