Aktori francez Olivier Martinez (60) ka kërkuar rritjen e shumës së alimentacionit që ish-bashkëshortja e tij, ylli i Hollywood-it Halle Berry (60), paguan për djalin e tyre 13-vjeçar, Maceo.

Kërkesa e re vjen pasi gjykata vendosi që marrëveshja e përkohshme për kujdestarinë, sipas së cilës djali kalon pjesën më të madhe të kohës me të atin, të mbetet në fuqi të paktën deri më 17 dhjetor.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga revista People, Berry aktualisht paguan rreth 8 mijë dollarë në muaj për mbajtjen e djalit. Kjo shumë ishte përcaktuar në gusht të vitit 2023, kur divorci i çiftit u finalizua zyrtarisht.
Përveç kësaj, aktorja është e detyruar të paguajë edhe 4.3 për qind të të ardhurave të saj vjetore që tejkalojnë dy milionë dollarët.
Martinez tani pretendon se shuma e alimentacionit duhet të rritet, pasi rrethanat mbi bazën e të cilave ishte përcaktuar fillimisht kanë ndryshuar ndjeshëm.
Marrëveshja e mëparshme ishte hartuar duke u bazuar në pritshmërinë që të dy prindërit do të kalonin afërsisht të njëjtën kohë me djalin. Megjithatë, aktori francez pretendon se Berry tani kalon vetëm rreth 18 për qind të kohës me Maceon, ndërsa pjesën më të madhe të kohës ai e qëndron me të atin.
Për këtë arsye, Martinez kërkon që ish-bashkëshortja të dorëzojë në gjykatë të dhënat e përditësuara mbi të ardhurat e saj, në mënyrë që të përcaktohet një shumë e re e alimentacionit, të cilën ai e konsideron më të përshtatshme.
Në parashtresën e tij drejtuar gjykatës, ai thekson se mbështetja financiare për fëmijën duhet të marrë parasysh edhe standardin e jetesës së prindërve, veçanërisht në rastet kur ekziston një dallim i madh në të ardhurat e tyre.
“Kur prindi që paguan alimentacionin ka një standard jetese dukshëm më të lartë se prindi me të cilin jeton fëmija, shuma e mbështetjes financiare duhet të pasqyrojë, të paktën deri në një masë, këtë standard jetese”, thuhet në parashtresën e tij.
Avokati i Martinezit, Patrick Baghdaserians, konfirmoi për revistën People se klienti i tij ka kujdestarinë kryesore mbi djalin që nga fillimi i tetorit të vitit 2026.
“Zoti Martinez ka kujdestarinë kryesore mbi të miturin që nga fillimi i tetorit. Kërkesa jonë buron, pjesërisht, nga dëshira e tij për t’i siguruar djalit kujdesin më të mirë të mundshëm”, deklaroi avokati.
Rritja e alimentacionit nuk është kërkesa e vetme financiare që Martinez i ka drejtuar ish-bashkëshortes. Vetëm një javë më herët, ai kishte kërkuar që Berry t’i paguante edhe 240 mijë dollarë për shpenzimet gjyqësore.
Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë, aktori ka deklaruar se nuk ka më mjete të mjaftueshme financiare për të përballuar shpenzimet gjithnjë e më të larta ligjore, duke vënë në dukje dallimin e konsiderueshëm mes mundësive financiare të tij dhe atyre të ish-bashkëshortes.
Nga shuma e përgjithshme që kërkon, 176.522,58 dollarë i referohen faturave të papaguara për shërbimet ligjore, ndërsa 63.477,42 dollarë të tjerë janë paraparë për shpenzimet që pritet të krijohen gjatë vazhdimit të procesit gjyqësor.
Kërkesat e reja financiare vijnë në një kohë kur përplasjet gjyqësore mes ish-bashkëshortëve po bëhen gjithnjë e më të ashpra.
Halle Berry së fundmi pësoi një goditje të rëndë në betejën për kujdestarinë e djalit, pasi gjykata vendosi që 13-vjeçari Maceo të jetojë pjesën më të madhe të kohës me të atin.
Sipas vendimit, për momentin djalit nuk i lejohet as të kalojë netët në shtëpinë e nënës së tij. Në të njëjtën kohë, gjykata shfuqizoi edhe urdhrin e mëparshëm që e ndalonte Berry t’i afrohej Martinezit, i cili ishte lidhur me akuzat për dhunë në familje.
Përplasjet mes tyre u përshkallëzuan edhe më shumë pasi Martinez ngriti akuza të rënda ndaj ish-bashkëshortes, duke pretenduar se në një incident ajo kishte tentuar ta mbyste djalin e tyre. Berry i ka mohuar kategorikisht këto pretendime.
Se sa serioze është bërë kjo betejë gjyqësore, dëshmon edhe vendimi i gjykatës për të dëgjuar vetë Maceon. 13-vjeçari ka dhënë dëshminë e tij në një seancë me dyer të mbyllura, pa praninë e prindërve, të cilëve u ishte kërkuar të largoheshin nga salla e gjyqit. /Telegrafi/





