Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se angazhimi i Shqipërisë për mbrojtjen e Kosovës është i pakushtëzuar, duke theksuar se asnjë qeveri në Tiranë nuk mund të qëndrojë nëse nuk angazhohet plotësisht për sigurinë e saj.
Në një intervistë për emisionin “Hard Talk” në platformën Radar.al, Nufi është pyetur për rrezikun e sigurisë me të cilin përballet Kosova, veçanërisht pas sulmit në Banjskë në shtator të vitit 2023, si dhe për gatishmërinë e Shqipërisë që të ofrojë mbështetje konkrete në rast të një kërcënimi të ri.

“Unë besoj 100 për qind. Unë besoj që jo vetëm kjo qeveri, por nuk ka qeveri në Tiranë që mund të qëndrojë në qoftë se nuk jepet njëqind për qind për mbrojtjen e Kosovës”, ka deklaruar Nufi.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse Shqipëria është e gatshme të veprojë bashkë me Kosovën si një ushtri e vetme, ministri i Mbrojtjes ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve dhe shqiptarëve në të dy anët e kufirit ka arritur në një nivel që nuk vihet në diskutim, pavarësisht se kush është në pushtet.
“Kushdo që ta provojë, ja këtu do të jemi dhe do ta shohim rezultatin”, ka thënë Nufi, duke iu referuar mundësisë së një sulmi ndaj Kosovës.
Ai ka theksuar se situata e sotme është ndryshe nga ajo e vitit 1999, kur Shqipëria ishte një shtet i dobët ekonomikisht, ndërsa Kosova sot është republikë me institucionet e veta dhe me partneritet të rëndësishëm ndërkombëtar.
Sipas Nufit, nuk ka më dyshime për integritetin e Kosovës si republikë, territor dhe shtet, ndërsa ka pranuar se frika e qytetarëve të Kosovës për sigurinë është reale, në kushtet e zhvillimeve të reja në Ballkan.
Ministri ka bërë të ditur gjithashtu se Shqipëria së fundmi ka dërguar një helikopter në Kosovë, në kuadër të angazhimeve të saj brenda NATO-s dhe bashkëpunimit për sigurinë rajonale.
Nufi për blerjet ushtarake dhe sigurinë e Shqipërisë
Gjatë intervistës, Nufi ka folur edhe për akuzat lidhur me pretendimet për trafikim armësh, duke deklaruar se Shqipëria aktualisht nuk prodhon fishekë dhe se armët e fundit janë prodhuar në vend në periudhën 1999–2002.
Ai i ka cilësuar akuzat si të pabazuara, duke pretenduar se ato synojnë të pengojnë krijimin e kapaciteteve vendore të industrisë së mbrojtjes.
Ministri ka mbrojtur gjithashtu blerjet sekrete ushtarake, duke theksuar se prokurimet që lidhen me sigurinë kombëtare nuk mund të trajtohen njësoj si prokurimet e zakonshme publike.
“Vetëm ushtria e di çka ka ushtria”, ka deklaruar Nufi, duke shtuar se publikimi i informacioneve për armatimin, sistemet teknologjike dhe kapacitetet mbrojtëse mund të cenojë sigurinë e vendit.
Ai ka folur edhe për marrëveshjen e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara, të cilën opozita e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar këtë veprim si gabim politik dhe strategjik.
Paralajmërimi për luftën në Evropë
Duke folur për mundësinë e zgjerimit të konfliktit në Evropë, Nufi ka thënë se lufta tashmë është realitet në kontinent, duke iu referuar përballjes mes Rusisë dhe Ukrainës.
Ai ka paralajmëruar se tensionet mund të përshkallëzohen, ndërsa ka theksuar nevojën që Shqipëria të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse dhe të jetë e përgatitur për zhvillimet e mundshme të sigurisë.
Nufi ka folur gjithashtu për marrëdhëniet ushtarake me Turqinë, duke i cilësuar ato si partneritet të rëndësishëm për Shqipërinë dhe Kosovën.
Burimi: Dukagjini




