Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e së hënës në Shqipëri, ku një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur.

Ngjarja ka ndodhur në Fier, ku i vdekur si pasojë e të shtënave me armë ka mbetur një person, derisa vëllai i tij është plagosur.
Detaje për rastin ka dhënë policia shqiptare, ku ka njoftuar se i palgosuri është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, në fshatin Dermenas, sipas policisë, është konstatuar një automjet që po digjej, i dyshuar si automjeti i përdorur nga autorët.
“Rreth orës 09:40, në oborrin e banesës, në lagjen “1 Maji”, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi S. H. dhe është plagosur vëllai i tij, shtetasi J. H., i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Në fshatin Dermenas është konstatuar një automjet që po digjet, i dyshuar si automjeti i përdorur nga autorët. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën intensive për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv





