Për Mourinhon, kjo do të jetë një rikthim i veçantë në Romë, ku do të përballet për herë të parë me ish-skuadrën e tij që nga largimi nga kryeqyteti italian. Portugezi e ka drejtuar Romën në 138 ndeshje dhe ka krijuar një lidhje të veçantë me tifozët, të cilët vazhdojnë ta vlerësojnë për periudhën e kaluar në klub.
“Kanë qenë të jashtëzakonshëm me mua. Kur zbrita për herë të parë nga avioni, mijëra njerëz më prisnin. Nuk kisha bërë ende asgjë për ta, asnjë ndeshje dhe asnjë pikë. Më pas e kuptova se kështu është Roma. Ata panë se për mua ekzistonte vetëm një gjë: Roma dhe tifozët e saj. Kam luftuar dhe kam dhënë gjithçka”, ka deklaruar trajneri i Real Madridit.

Megjithatë, Mourinho nuk pret një pritje të jashtëzakonshme, por respekt për atë që ka përfaqësuar gjatë kohës së tij në krye të skuadrës italiane.
Në stolin që dikur ishte i Mourinhos, tashmë është Gian Piero Gasperini, një trajner për të cilin portugezi ka pasur vlerësime të mëdha.
Pas një përballjeje mes Interit dhe Genoas në vitin 2008, Mourinho e kishte përshkruar Gasperinin si një nga kundërshtarët më të vështirë që kishte hasur ndonjëherë.
“Është trajneri më i vështirë kundër të cilit kam luajtur. E ndryshova skemën pesë herë dhe ai m’u përgjigj po aq herë. Ishte vërtet një betejë”, kishte thënë portugezi.
Vlerësime për Gasperinin ka dhënë edhe Pep Guardiola. Trajneri i Manchester Cityt kishte përshkruar përballjet me Atalantën e drejtuar nga italiani si të pakëndshme, duke i krahasuar me një vizitë te dentisti.
Rivaliteti mes Mourinhos dhe Gasperinit ka vazhduar edhe në përballjet e mëvonshme, duke krijuar një histori të veçantë mes dy trajnerëve me filozofi të ndryshme futbolli.
Tashmë, vëmendja është te dueli i radhës, ku Mourinho do të kërkojë të konfirmojë epërsinë ndaj kolegut të tij, ndërsa Roma shpreson që Gasperini të vazhdojë serinë pozitive në përballjet e fundit mes tyre.
Përtej rëndësisë së rezultatit, rikthimi i Mourinhos në “Olimpico” pritet të jetë një nga momentet më interesante të kësaj përballjeje në Ligën e Kampionëve.
Burimi: RTKLive




