Në mesin e shikuesve që përcollën nga afër ndeshjen Kosovë – Izrael, e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, ishte edhe Gëzim Berisha, ish-drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë.

Berisha publikoi sot fotografi në rrjetet sociale, përmes të cilave dëshmoi praninë e tij në stadium.
Ndaj tij, Gjykata Themelore në Prishtinë më 5 nëntor kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak për një muaj, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje” ndaj ish-bashkëshortes së tij.
Megjithatë, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka bërë të ditur për Sinjalin se Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të Berishës dhe ia ka zëvendësuar masën e arrestit shtëpiak me ndalim për t’iu afruar personit të caktuar.
“Me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës […] masa e arrestit shtëpiak, e caktuar në kohëzgjatje prej një (1) muaji, është zëvendësuar me masën e ndalimit për t’iu afruar personit të caktuar”, ka deklaruar Gashi.
Ndërkohë, Berisha aktualisht është i pezulluar nga posti i drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





