Ndërsa GTA 6 është kthyer në një nga videolojërat më të komentuara, jo të gjithë po e presin me entuziazëm.

Autorja britanike Victoria Richards, 45 vjeçe, ka kritikuar përmbajtjen e lojës, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si paraqiten gratë dhe dhuna.
Në një artikull për The iPaper, Richards, e cila e përshkruan veten si një lojtare dhe e ka ndjekur serinë GTA prej vitesh, shprehet se nuk e kupton tërheqjen ndaj një loje që, sipas saj, e paraqet brutalitetin si argëtim.
Ajo kujton veçanërisht GTA 3, ku lojtarët mund të paguanin prostituta dhe më pas t’i sulmonin ose t’i vrisnin për të marrë paratë mbrapsht.
Sipas saj, këto skena e kishin shqetësuar edhe më shumë për shkak të përvojave personale si e mbijetuar e një sulmi seksual.
Edhe pse GTA 6 sjell një ndryshim të rëndësishëm, duke vendosur për herë të parë një protagoniste femër, Lucia Caminos, në qendër të historisë, Richards mendon se kjo nuk i eliminon problemet.
Ajo kritikon praninë e klubeve të striptizmit, seksualizimin e personazheve femra dhe mundësinë e ushtrimit të dhunës ndaj tyre.
Shqetësimi i saj lidhet veçanërisht me fëmijët. Nëna e dy fëmijëve, një adoleshent dhe një më të vogël, tregon se ata aktualisht luajnë Roblox dhe Minecraft, por nuk do t’i lejojë të provojnë GTA 6.
Nuk ka asnjë mënyrë që t’i lejoj fëmijët e mi ta luajnë atë, shprehet Richards, duke vënë në pikëpyetje mesazhet që mund të përcjellë një videolojë ku dhuna ndaj grave paraqitet si pjesë e argëtimit.
Madje, ajo zbulon se edhe shkolla e fëmijëve të saj u ka dërguar prindërve një njoftim, duke i këshilluar të kontrollojnë nëse videolojërat që përdorin fëmijët janë të përshtatshme për moshën e tyre. /Telegrafi/




