Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Arben Mustafa, ka kërkuar nga organet e Prokurorisë që të hetojnë pretendimet për parregullsi dhe paligjshmëri në Autoritetin e Konkurrencës, ndërsa ka paralajmëruar edhe inicimin e procedurave për shkarkimin e kryetares së këtij institucioni, Binaku-Isufi.

Në një konferencë për media, deputeti nga PDK, Mustafa ka akuzuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për bllokimin e raportimit të anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, duke thënë se kjo po pamundëson trajtimin e pretendimeve për shkelje në këtë institucion.
Madje ai ka deklaruar se ekzistojnë parregullsi serioze, paligjshmëri dhe anarki në funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës.
Sipas Mustafës, tre anëtarët e Komisionit, të zgjedhur nga Kuvendi, që nga maji i vitit 2025 nuk kanë mbajtur asnjë mbledhje, pasi kryetarja Binaku-Isufi nuk i ka ftuar për të zhvilluar takime.
“Kemi tre anëtarë të zgjedhur të këtij komisioni, por që nga maji i vitit 2025 nuk kanë mbajtur as edhe një mbledhje, për shkak se kryetarja e këtij komisioni, zonja Binaku-Isufi, nuk i thërret anëtarët e tjerë në mbledhje të komisionit. Dhe përderisa komisioni i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës është jofunksional, gjatë kësaj periudhe kryetarja e këtij komisioni ka përvetësuar kompetencat e komisionit që është organ kolegjal. Vendimet që do të duhej t’i merrte ky komision po i merr individualisht kryetarja e këtij komisioni, duke lejuar tetë përqendrime të tregut të nënshkruara vetëm nga ajo gjatë kohës kur e ka bllokuar funksionimin e komisionit”, tha Mustafa.
Sipas tij, vendimet që do të duhej të merreshin nga organi kolegjial janë marrë individualisht nga kryetarja, duke përmendur tetë përqendrime të tregut të nënshkruara vetëm nga ajo.
Mustafa ka pretenduar gjithashtu se janë edhe 60 kërkesa për përqendrim të tregut që po aprovohen në heshtje, si pasojë e mosfunksionimit të këtij organi vendimmarrës.
Ai foli edhe për vazhdimin e punës së drejtorit të Autoritetit të Konkurrencës, për të cilin ka thënë se ka dy aktakuza, duke pretenduar se nuk është zbatuar vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.
Mustafa: 60 kërkesa për përqendrim të tregut po miratohen në heshtje, një drejtor me 2 aktakuza vazhdon punënVideo:
“Për më tepër, janë 60 kërkesa të përqendrimit të tregut që po aprovohen në heshtje nga ky komision për shkak të mosfunksionimit të këtij trupi kryesor vendimmarrës të Autoritetit të Konkurrencës. Po ashtu, në këtë komision kemi një drejtor të Autoritetit të Konkurrencës me dy aktakuza, që vazhdon punën normalisht, përkundër vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, për trajtimin e kësaj kërkese në Autoritetin e Konkurrencës. Pra, duke mos ftuar mbledhje të komisionit, po i mundësohet një drejtori me dy aktakuza të vazhdojë punën normalisht pa u pezulluar”, tha Mustafa.
Ai u ka bërë thirrje organeve të Prokurorisë që të hetojnë raportimet e sinjalizuesve lidhur me pretendimet për parregullsi në këtë institucion.
Në fund, Mustafa ka bërë të ditur se do të iniciojë procedurat për shkarkimin e kryetares së Komisionit të Konkurrencës, Binaku-Isufi, duke e akuzuar atë për uzurpim të kompetencave dhe pamundësim të funksionimit të organit kolegjial.
“Kryetarja e këtij komisioni është ftuar për tri herë të raportojë, por refuzon raportimin në komisionin e këtij Kuvendi, i cili edhe e ka zgjedhur. Sot, duke pritur për të raportuar, dy anëtarët e tjerë të këtij komisioni ishin prezent, mirëpo raportimi i tyre u pamundësua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilëve po u pengon raportimi për parregullsinë dhe paligjshmërinë që po mbizotërojnë në Autoritetin e Konkurrencës. Nga këtu, i bëj thirrje edhe organeve të Prokurorisë që të hetojnë me seriozitetin më të madh raportimet e sinjalizuesve të ndryshëm që kanë ardhur edhe në Kuvendin e Kosovës, për paligjshmëritë që po mbizotërojnë në Autoritetin e Konkurrencës. Dhe, me këtë rast, ju njoftoj se sot iniciojnë procedurat për shkarkimin e kryetares së Komisionit të Konkurrencës, zonjës Binaku-Isufi, e cila ka uzurpuar këtë komision, duke pamundësuar funksionimin e tij”, nënvizoi Mustafa.
Ndërkaq në Komisionin për Ekonomi ka raportuar ministrja, Artane Rizvanolli./kp/




