Musk premton nga dy aksione të SpaceX për çdo fëmijë në SHBA

Musk premton nga dy aksione të SpaceX për çdo fëmijë në SHBA

Musk premton nga dy aksione të SpaceX për çdo fëmijë në SHBA

Miliarderi Elon Musk ka deklaruar se do t’i dhurojë çdo fëmije në Shtetet e Bashkuara nga dy aksione të kompanisë së tij hapësinore dhe të inteligjencës artificiale, SpaceX. Kjo përbën dyfishim të premtimit që ai kishte bërë muajin e kaluar.

Sponsor 3M Express

“Çdo fëmijë në Amerikë do të marrë dy aksione të SpaceX, një nga kompania dhe një nga unë personalisht”, shkroi Musk në platformën X, në pronësi të tij.

SpaceX bëri të ditur se do të ndajë nga një aksion të ri të kategorisë A për çdo llogari aktive Trump Account, një program investimi me lehtësi tatimore për fëmijët. Musk tha se do ta dyfishojë këtë kontribut duke dhuruar nga një aksion personal për secilin përfitues.

Sipas tij, kompania do t’i transferojë aksionet në dhjetor, ndërsa aksionet personale do t’i dhurojë në qershor të vitit 2027, kur skadojnë kufizimet për transferimin e tyre, transmeton Telegrafi.

Në tetor, Musk kishte premtuar se çdo fëmijë në SHBA do të merrte një aksion të SpaceX, duke shtuar se kjo do të ishte “e para nga shumë të tilla”.

Vlera e përgjithshme e këtij premtimi ende nuk dihet, pasi varet nga çmimi i aksioneve dhe numri i llogarive Trump Account që do të kualifikohen për programin.

Për të përfituar nga aksionet, prindërit ose kujdestarët duhet të regjistrojnë dhe aktivizojnë llogarinë e fëmijës. Qeveria amerikane ofron një kontribut të vetëm prej 1,000 dollarësh për shtetasit amerikanë që kanë lindur nga viti 2025 deri në vitin 2028 dhe që plotësojnë kushtet e programit.

Paratë zakonisht investohen në fonde me kosto të ulët që ndjekin ecurinë e tregut amerikan të aksioneve. Tërheqja e tyre përgjithësisht kufizohet deri në vitin kur fëmija mbush 18 vjeç.

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se deri në tetor ishin krijuar afro 70 milionë llogari, por nuk dihet se sa prej tyre janë aktivizuar.

Me çmimin e mbylljes së tregut të së mërkurës, prej 127.44 dollarësh për aksion, dy aksionet do të kishin vlerë prej 254.88 dollarësh. Nëse të 70 milionë llogaritë do të përfitonin nga dy aksionet, vlera e përgjithshme e premtimit do të arrinte rreth 17.8 miliardë dollarë.

Musk u rekomandoi prindërve që t’i ruajnë aksionet, duke pretenduar se SpaceX mund të arrijë një vlerë rreth një milion herë më të madhe se ekonomia aktuale globale, nëse ia del të mundësojë jetën në disa planete dhe të shfrytëzojë qoftë edhe një të miliontën e energjisë së Diellit.

“Natyrisht, këto janë synime jashtëzakonisht të vështira, por ekziston një rrugë për t’i arritur ato”, tha ai.

Ndërkohë, SpaceX po zhvillon një projekt që synon të përdorë energjinë diellore për të furnizuar qendra të të dhënave në orbitë. Të mërkurën, Komisioni Federal i Komunikimeve në SHBA i dha kompanisë leje për të vendosur deri në një milion satelitë për këtë projekt.

Sipas SpaceX, satelitët do të shfrytëzojnë energjinë diellore për të përpunuar të dhëna që do të përdoren në Tokë. Rregullatori amerikan vlerëson se projekti mund të ndihmojë në përmbushjen e kërkesës gjithnjë në rritje për kapacitete kompjuterike të inteligjencës artificiale.

Në shtator, raketa gjigante Starship e kompanisë arriti për herë të parë në orbitë, një moment i rëndësishëm për zhvillimin e anijes kozmike që qëndron në qendër të ambicies së Musk për të kolonizuar Marsin. /Telegrafi/

Lexo edhe

Pas përjashtimit nga PS, Spiropalit i caktohet vendi në rreshtin e fundit, në krahun e opozitës (VIDEO)

Pas përjashtimit nga PS, Spiropalit i caktohet vendi në rreshtin e fundit, në krahun e opozitës (VIDEO)

Kompania ajrore norvegjeze Norse Atlantic pezullon fluturimet, rrezikon falimentimin

Kompania ajrore norvegjeze Norse Atlantic pezullon fluturimet, rrezikon falimentimin

Temu detyrohet të ndryshojë praktikat e shitjes në Europë pas ndërhyrjes së Komisionit Evropian

Temu detyrohet të ndryshojë praktikat e shitjes në Europë pas ndërhyrjes së Komisionit Evropian