Ministria e Drejtësisë humb betejën ligjore me Odën e Avokatëve – Supremja konfirmon ligjshmërinë e Rregullores së OAK-së

Ministria e Drejtësisë humb betejën ligjore me Odën e Avokatëve – Supremja konfirmon ligjshmërinë e Rregullores së OAK-së

Ministria e Drejtësisë humb betejën ligjore me Odën e Avokatëve – Supremja konfirmon ligjshmërinë e Rregullores së OAK-së

Gjykata Supreme e Kosovës i ka dhënë të drejtë Odës së Avokatëve të Kosovës në kontestin me Ministrinë e Drejtësisë, duke refuzuar kërkesëpadinë për shfuqizimin e Rregullores që përcakton mënyrën e pranimit dhe trajtimit të thirrjeve për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare.

Sponsor 3M Express

Me Aktgjykimin P.A.nr.18/2026, të datës 17 shtator 2026, Gjykata Supreme ka refuzuar si të pathemeltë kërkesëpadinë e Qeverisë së Kosovës – Ministrisë së Drejtësisë, e cila kishte kërkuar shfuqizimin në tërësi të Rregullores nr.90/2026 të Odës së Avokatëve të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur OAK-ja, e cila e ka cilësuar vendimin si një sukses të rëndësishëm institucional dhe konfirmim të ligjshmërisë së rregullave për administrimin e sistemit të mbrojtjes sipas detyrës zyrtare.

Sipas komunikatës së Odës, Gjykata Supreme ka konstatuar se Rregullorja është nxjerrë nga organi kompetent, brenda autorizimeve ligjore dhe në përputhje me Ligjin për Avokatinë dhe Kodin e Procedurës Penale.

Gjykata, sipas OAK-së, ka vlerësuar se akti i kontestuar nuk tejkalon kompetencat e Odës, nuk cenon hierarkinë e akteve juridike dhe përbën ushtrim të ligjshëm të autonomisë së saj organizative dhe funksionale.

Por një nga konstatimet më të rëndësishme të aktgjykimit lidhet me mungesën e provave konkrete për pretendimet e Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas njoftimit, Ministria kishte pretenduar se zbatimi i Rregullores mund të pengonte zhvillimin e procedurave penale dhe të cenonte të drejtën e personave për mbrojtje.

Megjithatë, Gjykata Supreme ka vlerësuar se këto pretendime nuk ishin mbështetur në raste konkrete.

Ministria nuk kishte identifikuar asnjë rast në të cilin, për shkak të zbatimit të nenit 6 të Rregullores, një person kishte mbetur pa avokat, ishte vonuar ndonjë veprim procedural apo ishte penguar zhvillimi i procedurës penale.

Një tjetër çështje që ka marrë përgjigje nga Supremja është e drejta e OAK-së për të vendosur rregulla për komunikimin dhe administrimin e kërkesave të institucioneve për caktimin e mbrojtësve.

Sipas komunikatës, Gjykata ka konfirmuar se autonomia e Odës përfshin të drejtën e nxjerrjes së akteve të përgjithshme, të nevojshme për përmbushjen e detyrave të saj ligjore.

Po ashtu, është vlerësuar se kërkimi i të dhënave për identifikimin e personit dhe verifikimin e konfliktit të interesit nuk krijon kushte të reja për ushtrimin e së drejtës për mbrojtje, por i shërben caktimit të ligjshëm dhe transparent të avokatëve.

Gjykata ka sqaruar gjithashtu se në rastet urgjente, mungesa e të dhënave dytësore që mund të verifikohen më vonë nuk duhet të pengojë caktimin e menjëhershëm ose të përkohshëm të mbrojtësit.

Për Odën e Avokatëve të Kosovës, vendimi ka rëndësi përtej Rregullores së kontestuar, pasi konfirmon hapësirën ligjore të institucionit për të administruar në mënyrë të pavarur sistemin e caktimit të avokatëve sipas detyrës zyrtare.

Në reagimin e saj, OAK-ja ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatat, duke kërkuar respektimin e ndërsjellë të kompetencave dhe përgjegjësive institucionale.

“Autoriteti institucional ndërtohet përmes ligjshmërisë, profesionalizmit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarit”, është mesazhi me të cilin OAK-ja ka përmbyllur qëndrimin e saj.

Me këtë aktgjykim, sipas njoftimit të Odës, Gjykata Supreme ka lënë në fuqi Rregulloren nr.90/2026, duke rrëzuar përpjekjen e Ministrisë së Drejtësisë për shfuqizimin e saj në tërësi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Komisioni kërkon raportim nga Vitia, Reshitaj: Të tregojë ku kanë shkuar mbi 1.8 miliardë euro për shëndetësi

Komisioni kërkon raportim nga Vitia, Reshitaj: Të tregojë ku kanë shkuar mbi 1.8 miliardë euro për shëndetësi

33 të arrestuar dhe 41 të proceduar penalisht pas protestës së djeshme në Tiranë

33 të arrestuar dhe 41 të proceduar penalisht pas protestës së djeshme në Tiranë

Rama për kandidaturën për kryetar të LDK-së: Kemi demokraci, zgjedhje demokratike

Rama për kandidaturën për kryetar të LDK-së: Kemi demokraci, zgjedhje demokratike