Dy persona të maskuar, njëri me armë të gjatë dhe tjetri me çekan, kanë kryer një grabitje të armatosur në një argjendari në Gjakovë, duke kërcënuar personat që ndodheshin brenda dhe duke marrë një sasi ari e para të gatshme. Pas grabitjes, autorët janë larguar në këmbë, ndërsa Policia ka nisur kërkimet për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur të enjten, më 5 nëntor 2026, rreth orës 17:15, në argjendarinë “XHINTONGOLD”, në rrugën “Nëna Terezë” në Gjakovë.
Në momentin e grabitjes, në argjendari ndodheshin Luljeta Prenaj, 56 vjeçare dhe Nikoll Prenaj, 23 vjeçar, të cilët, sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, janë përballur me dy persona të veshur me rroba të zeza dhe me fytyra të maskuara.
Njëri prej të dyshuarve mbante një armë të gjatë, të cilën ua kishte drejtuar personave që ndodheshin brenda argjendarisë. Ndërkohë, bashkëpunëtori i tij kishte përdorur një çekan për të thyer dollapët ku mbaheshin stolitë.
Nën kërcënimin e armës, të dyshuarit kishin marrë një sasi ari dhe para të gatshme, përpara se të largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Sasia e arit të grabitur dhe vlera e parave të marra ende nuk janë përcaktuar, ndërsa dëmi i përgjithshëm mbetet për t’u vlerësuar.
Pas grabitjes, dy personat janë larguar në këmbë në drejtim të panjohur, duke iu shmangur kapjes së menjëhershme.
Sinjali mëson se Policia fillimisht kishte pranuar një informacion për vjedhje përmes numrit emergjent 192. Mirëpo, kur patrulla kishte mbërritur në vendngjarje, ishte konstatuar se bëhej fjalë për një grabitje të armatosur.
Në argjendari kanë dalë njësitë relevante policore, të cilat kanë nisur veprimet hetimore për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e autorëve.
Për ngjarjen është njoftuar Prokuroria e Shtetit, e cila ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Grabitja”.
Deri më tani, identiteti i dy personave të dyshuar mbetet i panjohur, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbulimin e tyre dhe sqarimin e plotë të rrethanave të grabitjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




