Mbi 3,700 shkolla në Itali kanë pranuar të enjten kërcënime për vendosjen e bombave, të cilat dyshohet se janë të rreme. Megjithatë, shumica dërrmuese e institucioneve arsimore kanë vendosur të qëndrojnë të hapura, pas udhëzimeve të reja të qeverisë për trajtimin e këtyre rasteve, transmeton klankosova.tv

Sipas Reuters, kryeministrja Giorgia Meloni ka bërë të ditur se ndërtesat publike duhet të evakuohen vetëm në rastet kur ekzistojnë prova konkrete për rrezik, pasi vala e kërcënimeve të rreme të mërkurën kishte shkaktuar mbylljen e disa shkollave në mbarë Italinë.
Sipas zyrës së kryeministres, të enjten kërcënime kanë pranuar gjithsej 3,778 shkolla, por vetëm 77 prej tyre janë evakuuar, disa vetëm për një periudhë të shkurtër.
Përballë situatës, Meloni ka thirrur në zyrën e saj liderët e opozitës për të diskutuar mënyrën e trajtimit të incidenteve të ngjashme, ndërsa ka paralajmëruar hartimin e një protokolli për të kufizuar ndikimin e tyre.





