Numri i përfituesve të shtesave për fëmijë në Kosovë ka shënuar rënie për 31,594 persona që nga fillimi i këtij viti, ndërsa pensionet bazike të moshës kanë rritjen më të madhe, me 9,074 përfitues më shumë. Veteranët poashtu kanë shënuar rritje, me 1,884 përfitues më shumë apo rreth 314 mijë euro rritje të pagesave. Këto janë disa nga ndryshimet kryesore që dalin nga krahasimi i statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), nga fillimi i vitit 2026 deri në fund të tetorit.

Të dhënat tregojnë se, në fillim të vitit, në skemën e shtesave për fëmijë ishin të regjistruar 406,779 fëmijë përfitues, ndërsa në tetor ky numër ka rënë në 375,185. Kjo paraqet një zvogëlim prej 7.77 për qind (mbi 31 mijë më pak).
Rënia ndikohet edhe në aspektin financiar. Në fillim të vitit për këtë kategori ishin ndarë 14 milionë e 754 mijë e 240 euro, ndërsa në tetor shuma kishte zbritur në 13 milionë e 556 mijë e 340 euro. Pra, për këtë skemë janë shpenzuar 1 milion e 197 mijë e 900 euro më pak.
Një tjetër kategori që ka shënuar rënie të konsiderueshme është skema e ndihmës sociale. Numri i përfituesve nga kjo skemë ka rënë nga 15,872 në fillim të vitit në 14,444 në tetor, apo 1,428 persona më pak. Në përqindje, kjo paraqet rënie prej rreth nëntë për qind.
Edhe shuma e mjeteve të ndara për ndihmë sociale ka pësuar zvogëlim. Nga 2 milionë e 367 mijë e 508 euro në fillim të vitit, kjo shumë ka zbritur në 2 milionë e 135 mijë e 692 euro në tetor, me një diferencë prej 231,816 eurosh.
Në anën tjetër, rritja më e madhe në numrin e përfituesve është regjistruar te pensionet bazike të moshës. Kjo kategori kishte 165,325 përfitues në fillim të vitit, ndërsa në tetor numri kishte arritur në 174,399, që përkthehet në 9,074 përfitues më shumë ose rritje prej 5.49 për qind.
Në përgjithësi, krahasimi i 17 kategorive tregon se numri i përfituesve të skemave sociale është zvogëluar nga 748,876 në fillim të vitit në 728,398 në tetor. Kjo paraqet rënie prej 20,478 përfituesish, apo 2.73 për qind.
Pavarësisht kësaj, shuma e përgjithshme e pagesave për këto kategori është rritur. Nga rreth 77.45 milionë euro në fillim të vitit, shpenzimet kanë arritur në 78.21 milionë euro në tetor, apo 758,943 euro më shumë.
Ndërkohë, statistikat e tetorit përfshijnë edhe dy kategori të mbështetjes financiare për lehonat, të cilat nuk figurojnë në tabelën e fillimit të vitit. Në tetor, 2,231 lehona të punësuara kanë përfituar gjithsej 1 milion e 118 mijë e 500 euro, ndërsa 7,053 lehona të papunësuara kanë përfituar 3 milionë e 546 mijë e 325 euro e 90 centë.
Në total, për këto dy kategori janë ndarë mbi 4.66 milionë euro për 9,284 përfituese.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se gjatë vitit 2026, ndër kategoritë e mirëqenies sociale ka pasur lëvizje të ndryshme: rritje të numrit të përfituesve të pensioneve bazike të moshës dhe veteranëve, por rënie të dukshme te shtesat për fëmijë dhe skema e ndihmës sociale. /Telegrafi/





