Një shofer mauneje është gjobitur me 500 euro në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, pasi zyrtarët doganorë kanë konstatuar parregullsi në sistemin e plombimit të automjetit që transportonte mallra për import.

Sipas Doganës së Kosovës, gjatë kontrollit është vërejtur se sistemi mundësonte ndërhyrje edhe pas vendosjes së plombës, duke mos garantuar sigurinë e mallrave gjatë transportit.
“Për këtë rast është iniciuar procedurë kundërvajtëse doganore, në bazë të Kodit Nr. 08/L-247 për Doganat dhe Akcizat, për mosrespektim të rregullave që lidhen me procedurën e transitit, përfshirë dispozitat për paraqitjen e mallrave të paprekura në zyrën doganore të destinacionit dhe përdorimin e plombave të përshtatshme për sigurimin e identifikimit të tyre. Si rezultat, ndaj shoferit është shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 eurosh”, thuhet mes tjerash në njoftim./ Klankosova.tv




