Goditje me grushte në kokë dhe trup, një mjet i fortë, një litar i vendosur rreth qafës dhe gjurmë gjaku në shtratin ku u gjet e pajetë foshnja.

Këto janë disa nga detajet e përshkruara në dosjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan, të cilën e ka siguruar Dukagjini, lidhur me vrasjen e dyfishtë në fshatin Demiraj.
Sipas dosjes, Braim Demiri dyshohet se më 1 nëntor 2026, pas orës 00:27 dhe deri në orët e mëngjesit, pas një konflikti fizik me djalin e tij, Adonis Demirin, e ka privuar atë nga jeta.
Në përshkrimin e ngjarjes, Prokuroria pretendon se i dyshuari fillimisht e ka goditur Adonisin me grushte në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit. Më pas, dyshohet se e ka goditur me një mjet të fortë në anën e djathtë të kokës dhe e ka përplasur për tokë.
“Me një litar të cilin ia vendos në qafë viktimës dhe sipas shenjave të njëjtin e ngulfat”, thuhet në përshkrimin e dyshimeve në dosjen e Prokurorisë.
Por, sipas të njëjtës dosje, në këtë ngjarje dyshohet se është vrarë edhe foshnja.
Në përshkrimin e veprës penale, Prokuroria pretendon se foshnja D. ishte gjetur e pajetë në shtratin e babait të saj, Adonis Demirit, me shenja dhune dhe njolla gjaku në atë hapësirë.
“…ndërsa më parë edhe fëmija D., është gjetur e pajetë me shenja dhune në shtratin e babait të saj, tani të ndjerit Adonis, ku janë vërejtur edhe njolla gjaku, krejt këto të shkaktuara me dyshimin nga babai i saj, tani i ndjeri Adonis, ashtu që nga veprimet e të njëjtëve janë privuar nga jeta dy anëtarë të familjes së tyre”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Në një pjesë tjetër të dosjes, Prokuroria përshkruan edhe gjendjen në të cilën janë gjetur viktimat.
“Viktima Adonis Demiri është gjetur me lëndime të dukshme në fytyrë, i mbuluar me gjak dhe me një litar të shtrënguar rreth qafës, ndërsa foshnja D. është gjetur e pajetë me shenja dhune”, thuhet në dosje.
Prokuroria thekson se mënyra e saktë e privimit nga jeta të të dy viktimave ende nuk është përcaktuar, pasi deklaratat e të pandehurve nuk përputhen me atë që shihet në incizimet e kamerave të sigurisë.
“Po ashtu, duhet potencuar se mënyra e saktë e privimit nga jeta të djalit Adonis, por edhe e mbesës së tij D., për momentin është ende e paqartë, pasi ekzistojnë kundërthënie të qarta në mes të deklaratave të të pandehurve dhe incizimeve të kamerave të sigurisë”, thuhet në dosje.
Kundërthënie mes deklaratave dhe incizimeve të kamerave të sigurisë
Në këtë rast, përveç Braim Demirit, e pandehur është edhe H. Demiri, bashkëshortja e tij, e dyshuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.
Sipas Prokurorisë, të dy të pandehurit kanë dhënë versione të ngjarjes që bien ndesh me incizimet e kamerave të sigurisë, të siguruara nga një pajisje DVR e sekuestruar në shtëpinë e Xh. Demirit, vëllait të të dyshuarit.
Pikërisht këto kundërthënie dhe raportet familjare janë ndër arsyet që Prokuroria i ka paraqitur gjykatës si bazë për caktimin e paraburgimit.
Në dosje thuhet se personat që mund të kenë dijeni të drejtpërdrejtë për ngjarjen janë kryesisht anëtarë të familjes së të dyshuarit, përfshirë bashkëshorten e tij, H. D., dhe vëllain e tij, Xh. D.
Prokuroria vlerëson se, për shkak të raporteve të ngushta familjare, këta persona mund të jenë të ndjeshëm ndaj ndikimit të të dyshuarit.
“…dy të pandehurit kanë dhënë versione të ngjarjes që bien ndesh me incizimet e kamerave të sigurisë, ekziston rrezik real që i pandehuri, nëse do të ndodhet në liri, do të bashkërendojë deklaratat me bashkëpandehurën, me çka do të pengonte zhvillimin e rregullt të procedurës penale”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Autopsia dhe ekspertizat ende nuk kanë përfunduar
Prokuroria bën të ditur se hetimet janë në fazën fillestare dhe se ende nuk janë pranuar rezultatet e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Në pritje janë edhe rezultatet e ekspertizave të gjurmëve biologjike, të litarit dhe të pajisjeve elektronike të sekuestruara.
Po ashtu, Prokuroria ka bërë të ditur se duhet të intervistohen edhe persona të tjerë që mund të kenë informacione për rrethanat e rastit.
Përveç dyshimit për vrasje të rëndë, Braim Demiri dyshohet edhe për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontrollit ose posedimit të paautorizuar të armëve.




