LEX | Ekskluzive – “Një djalë e kisha, ma lanë të vdekur – tash na provokojnë me vetura para syve tanë” – nëna e Molos Delijës për Sinjalin “Kurrë s’ua falim gjakun”

LEX | Ekskluzive – “Një djalë e kisha, ma lanë të vdekur – tash na provokojnë me vetura para syve tanë” – nëna e Molos Delijës për Sinjalin “Kurrë s’ua falim gjakun”

LEX | Ekskluzive – “Një djalë e kisha, ma lanë të vdekur – tash na provokojnë me vetura para syve tanë” – nëna e Molos Delijës për Sinjalin “Kurrë s’ua falim gjakun”

Tri jetë të reja u shuan tragjikisht në mbrëmjen e 16 dhjetorit 2023, në autostradën “Ibrahim Rugova”, si pasojë e një gare të dyshuar me vetura. Gati tri vjet pas kësaj ngjarjeje, nëna e 20-vjeçarit Molos Delija, njërit prej viktimave, ka kontaktuar ekskluzivisht Gazetën Sinjali për të rrëfyer dhimbjen e humbjes së djalit të saj të vetëm dhe për të denoncuar sjelljen e dy të akuzuarve, Arlind Syla dhe Irfan Hoti. Ajo thotë se të dy vazhdojnë të shëtisin të lirë nëpër Prizren, madje duke bërë manovra me vetura para syve të familjarëve, të cilët ende po përballen me pasojat e tragjedisë.

Sponsor 3M Express

Nëna e Molosit, në gjendje të rënduar emocionale, ka rrëfyer dhimbjen për humbjen e djalit të saj të vetëm, i cili ishte student i dalluar në Fakultetin Ekonomik, kur humbi jetën më 16 dhjetor 2023.

“Nga garat me vetura i lanë të vdekur tre persona, sot shëtisin nëpër Prizren duke bërë shllajfa para syve neve që e kemi zemrën shkrumb. Një djalë e kam pas, ma lanë të vdekur”, ka deklaruar ajo për Gazetën Sinjali.

Ajo pretendon se dy të akuzuarit nuk kanë shfaqur përgjegjësi apo pendim për tragjedinë dhe se sjelljet e tyre vazhdojnë t’ia rëndojnë dhimbjen familjes.

“Të dy janë të lirë duke shëtitur, e djali jem po han dhe ”, ka thënë nëna e Molosit.

Sipas saj, njëri nga të akuzuarit paraqitet edhe në seancat gjyqësore me sjellje që ajo i konsideron arrogante.

“Vjen si kapadai në seancë, del e shëtit, na bën shllafja”, ka deklaruar ajo.

Nëna ka ngritur shqetësime edhe për faktin se, sipas saj, të akuzuarit vazhdojnë të drejtojnë automjete, pavarësisht aksidentit tragjik dhe historikut të kundërvajtjeve në trafik.

Ndryshe, procesi gjyqësor ndaj Arlind Sylës dhe Irfan Hotit ishte përballur edhe me shtyrje të seancave. Më 14 janar 2025, gjykimi ndaj dy të akuzuarve për organizimin e garave automobilistike, që përfunduan tragjikisht me vdekjen e tre të rinjve, kishte dështuar sërish për shkak të mungesës së të dëmtuarve. Rasti vazhdon të trajtohet në gjykatë, ndërsa familjarët e viktimave presin epilogun gjyqësor.

“Nuk ua kemi falur, as kurrë s’kemi me ua falë”

Një tjetër deklaratë e fuqishme e nënës së Molos Delijës lidhet me çështjen e faljes së gjakut.

“Nuk ua kemi falur, as kurrë s’kemi me ua falë”, ka deklaruar ajo për Sinjalin.

Ajo thotë se nuk mund t’ua falë personave që i konsideron përgjegjës humbjen e djalit të saj të vetëm.

Ndryshe, më 17 dhjetor 2023, pas varrimit të viktimës tjetër të aksidentit, Lordon Sylës, në fshatin Berjahë të Gjakovës, Sinjali kishte raportuar se familja Syla kishte përcjellë një mesazh faljeje përmes hoxhës.

“Familja më porositi, se nëse kemi diçka për të falur, veç se është e falur vetëm për hatër të Zotit”, kishte deklaruar hoxha atë ditë.

Ky ishte qëndrim i përcjellë në emër të familjes Syla, ndërsa deklarata e tanishme për mosfaljen e gjakut i përket nënës së Molos Delijës.

Sinjali kishte zbuluar dhjetëra gjoba të dy shoferëve para tragjedisë

Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht më 18 dhjetor 2023 se Arlind Syla dhe Irfan Hoti kishin qenë të njohur për Policinë e Trafikut për shkak të kundërvajtjeve të shumta.

Sipas burimeve të Sinjalit, gjatë vitit 2023, para aksidentit, Arlind Syla ishte gjobitur rreth 10 herë nga Policia e Trafikut Rajonal në Gjakovë, ndërsa Irfan Hoti rreth 15 herë.

Madje, sipas të njëjtave burime, Hotit i ishte konfiskuar patentë shoferi për tre muaj, disa muaj para tragjedisë.

Sinjali kishte raportuar gjithashtu për largimin nga pozita të komandantit të Trafikut Rajonal në Prizren, Hasan Tërshana, pas aksidentit tragjik.

Si ndodhi tragjedia që ua mori jetën tre të rinjve?

Mbrëmjen e 16 dhjetorit 2023, rreth orës 22:45, në kilometrin e 15-të të autostradës “Ibrahim Rugova”, një garë e dyshuar e kundërligjshme me vetura përfundoi tragjikisht.

Sipas hetimeve fillestare, njëra nga veturat humbi kontrollin dhe goditi tre të rinj që ndodheshin në autostradë.

Si pasojë, jetën e humbën Molos Delija, Lordon Syla dhe Nue Bibaj, ndërsa tre persona të tjerë pësuan lëndime trupore.

Lidhur me rastin u arrestuan Arlind Syla dhe Irfan Hoti, ndërsa më 18 dhjetor 2023 Gjykata Themelore në Prizren ua caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ngjarja kishte shkaktuar reagime të shumta dhe kishte ngritur shqetësime për garat ilegale me automjete dhe sigurinë në komunikacion.

Të premten, më 23 tetor, seanca e radhës ndaj dy të akuzuarve

Në Gjykatën Themelore në Prizren me gjyqtaren Ajsere Skenderi seanca e radhës është caktuar, mëson eksluzivisht Sinjali.

Të premten, pritet të mbahet seanca e radhës gjyqësore ndaj Arlind Sylës i cili punon në Zvicërr Sinjali mëson se ka ardh në Kosovë për shkak të seances dhe Irfan Hotit, lidhur me tragjedinë që mori tri jetë.

Në kuadër të procedurës gjyqësore është kryer edhe ekspertiza nga një grup ekspertësh.

Ndërkohë, nëna e Molos Delijës kërkon drejtësi për djalin e saj të vetëm, duke shprehur indinjatën për sjelljen që ua atribuon të akuzuarve dhe për faktin se, sipas saj, ata vazhdojnë jetën në liri.

Për të, koha nuk e ka zbehur dhimbjen e humbjes së Molosit, ndërsa procesi gjyqësor për tragjedinë e 16 dhjetorit 2023 vazhdon.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Barcelona dhe Bayerni vihen pas yllit të Zvicrës

Barcelona dhe Bayerni vihen pas yllit të Zvicrës

Publikohen detajet e “Marrëveshjes së Mekës” – Turqia, Arabia dhe Pakistani

Publikohen detajet e “Marrëveshjes së Mekës” – Turqia, Arabia dhe Pakistani

Kambovski: Propozimi për provimin e jurisprudencës në dy gjuhë është racional

Kambovski: Propozimi për provimin e jurisprudencës në dy gjuhë është racional

LEX | Ekskluzive – “Një djalë e kisha, ma lanë të vdekur – tash na provokojnë me vetura para syve tanë” – nëna e Molos Delijës për Sinjalin “Kurrë s’ua falim gjakun” | Momenti